Kuvendi Komunal i Prizrenit

Gjuha rome njihet si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit

Gjuha rome nga sot do të gëzojë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit.

Kuvendi i Komunës së Prizrenit të hënën ka votuar pro njohjes së gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar.

I pari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se me vendime të tilla do të mbrohen të drejtat e komuniteteve.

“Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, votuam pro që Gjuha Rome të njihet si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit.  Gjuha është jetike për njerëzimin e ky komunitet ka trashëgimi unike dhe ndër prioritetet e Komunës është mbrojtja e të drejtave të komuniteteve si dhe e të gjithë qytetarëve të Komunës së Prizrenit, pa dallim”- ka shkruar kryetari Totaj në Facebook.

Sipas statutit,  gjuhë zyrtare në Komunën e Prizrenit janë gjuha shqipe, gjuha serbe, gjuha boshnjake dhe gjuha turke.

Pas vendimit të sotëm, Komuna e Prizrenit bëhet komuna e parë në Kosovë që njeh gjuhën rome si gjuhë në përdorim zyrtar.