Punëtorët e Pallatit të Rinisë protestojnë për paga

Punëtorët e Pallatit të Rinisë kanë protestuar sot për shkak të vonesës së pagave të tyre për dy muaj.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ishte paraparë të mbaj sot ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes likuidimit, por puntorët e Pallatit të Rinisë kishin dal të protestonin dhe nuk lejonin që kjo ceremoni të zhvillohej.

U.D. Drejtori Gjeneral i Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli, përfaqësuesi i Sindikatës së punëtoreve Daut Rexha dhe Kryetari i Sindikatës Enver Musiqi pas takimit që kishin mbajtur në Komunën e Prishtinës, u premtuan punëtoreve se pagat e tyre do të transferohen së shpejti.

“ Menaxhmenti ka mbajtur takim dhe kanë arritur një marrëveshje që shumë shpejtë do të kryhen pagesat”, tha Rexha para punëtoreve.

Ndërsa Dugolli shtoi se sot do të bëhet nënshkrimi i dokumentit zyrtarë, sipas të cilit Komuna e Prishtinës e autorizon AKP-në për transferim të mjeteve.

Pas këtyre premtimeve se pagat do të dalin së shpejti, punëtorët e përfunduan protestën e tyre në mënyrë paqësore.