Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën

Petkoviq thotë se iu ndalua vizita në Kosovë për Pashkët Ortodokse

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar më 03.05.2024 se autoritetet në Kosovë ia kanë ndaluar që të zhvillojë një vizitë në Kosovë për Pashkët Ortodokse.

“Ndonëse vizita ishte ekskluzivisht e karakterit fetar dhe përfshinte ekskluzivisht vizita në manastire dhe në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe për serbët, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim”- tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

Sipas një njoftimi të kësaj zyre, Petkoviq gjatë kësaj vizite ishte paraparë të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

Tutje thuhet se “prej më shumë se një viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e pengon Petkoviqin që të vizitojë serbët në Kosovë”.

“Këto ndalime jo që janë të pabaza, por paraqesin edhe shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe atë për vizita zyrtare, veçmas kur bëhet fjalë për kryenegociatorin në dialog nga pala serbe”- thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës lidhur me këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.

Në korrik të vitit 2022, Petkoviqit, sipas raportimit të mediave serbe, i ishte ndaluar hyrja në Kosovë.

Kryenegociatori serb kishte dashur ta vizitoj Kosovën edhe në nëntor e shtator të vitit të 2021, mirëpo leja për një gjë të tillë i ishte refuzuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

MPJD kishte thënë se kërkesat e Petkoviq janë refuzuar për shkak se në vizitat paraprake, kryenegociatori serb ka nxitur përçarje mes komuniteteve dhe ka provokuar institucionet e Kosovës.