Foto: Përparim Rama, Facebook

Rama: Së shpejti nis ndërtimi i Spitalit të Prishtinës

Rreth 5 vjet pas veprimeve të para për ndërtimin e Spitalin të Prishtinës, ndërtimi i tij pritet të fillojë së shpejti.

Kështu të paktën njoftoi kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, sot më 03.05.2024.

“Sot diskutuam detajet finale të projektit të Spitalit të Kryeqytetit. Shumë shpejt projekti do të tenderohet dhe do të fillojë ndërtimi”– ka shkruar Rama në Facebook.

I pari i Prishtinës thotë se ky projekt i shumëpritur do ta bëjë më të lehtë qasjen në shërbime shëndetësore dytësore për qytetarët e Prishtinës.

Në gusht të 2022, Rama kishte paralajmëruar se ndërtimi i spitalit do të fillonte gjatë vitit 2023. Kjo nuk ndodhi. Vitin e kaluar u bë vetëm prezantimi i dizajnit konceptual për spitalin.

Komuna ka nisur procesin për këtë spital nga viti 2019 që kur qeveria edhe kishte ndarë buxhet për studim fizibiliteti.

Por, projekti ishte zvarritur si shkak i procesit zgjedhor e caktimit për një prone adekuate për ndërtimin e tij.

Më 31.01.2024, drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku kishte thënë se kompania e caktuar për këtë projekt ka premtuar se në shkurt ose mars do të kishte planin final.

“Kemi propozuar 5-6 parcela dhe kompania ka përzgjedhur një në Prishtinën e re, pjesa e Hajvalisë, kemi ndarë buxhet simbolik edhe vitin e kaluar dhe këtë vit po ashtu 2.8 milionë për nisje të projektit e pas dorëzimit të planit, do mund të dimë sa do jetë shuma e përgjithshme se për sa vite mund të ndërtohet”- kishte thënë më tej Sadiku.

Sadiku pati thënë se ky spital do ketë rreth 500 persona në staf.

Kryeqyteti është i vetmi nga 7 rajonet e Kosovës që nuk ka spital të tij. Në mungesë të spitalit, përveç qendrave të mjekësisë familjare si nivel parësor i shëndetësisë, qytetarët i janë drejtuar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK),  i cili është nivel tretësor.

Ligji për Kryeqytetin i miratuar në vitin 2018, thotë se Prishtina ka të drejtë të ketë Spitalin e qytetit si dhe Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit.

Spitali i Prishtinës ishte premtuar edhe nga Arben Vitia, kur ishte kandidat për kryetar të kryeqytetit në 2021, mirëpo si ministër i Shëndetësisë më 10.05.2023 kishte thënë se për të ndërtuar një spital të Prishtinës duhet bërë një studim fizibiliteti dhe analizë e thuktë se a ka nevojë për një spital të tillë.