Flamuj të Katalunisë - Foto: Facebook

Puigdemont: Katalunia e Fitoi të Drejtën për t’u Bërë Shtet

Lideri katalan Carles Puigdemont ka thënë para pak çastesh se rajoni ka fituar të drejtën për t’u bërë shtet pas referendumit të kontestuar që u mbajt të dielën e që u përshkua me dhunë.

Siç raporton BBC, Puigdemont ka thënë se është hapur dera për shpalljen e njëanshme të pavarësisë.

Qindra persona janë lënduar kur policia spanjolle përdori forcën në përpjekje për të bllokuar votimin.

Qeveria spanjolle kishte premtuar se do ta pengonte referendumin, i cili ishte shpallur i paligjshëm nga gjykata kushtetuese e vendit.

BBC raporton se zyrtarët e Policisë penguan njerëzit të votonin si dhe konfiskuan fletëvotime dhe kuti të votimit në disa qendra votimi.

“Ne kemi fituar të drejtën për të pasur shtet të pavarur në formë të republikës”, ka thënë Puigdemont në një adresim televiziv, i rrethuar nga zyrtarë të tjerë të lartë të Katalunisë.