Avdullah Hoti: Ahtisaari la gjurmë të mëdha në historinë e Kosovës për liri e pavarësi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se nobelisti për paqe që u nda sot nga jeta, Martti Ahtisaari ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e Kosovës.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin Facebook theksoi se Ahtisaari do mbetet mik dhe aleat i përhershëm i Kosovës.

“Lajm i hidhur ndarja nga jeta e ish-Presidentit të Finlandës dhe nobelistit për paqe, z.Martti Ahtisaari. Martti Ahtisaari për Republikën e Kosovës mbetet një mik dhe aleat i përhershëm. Ai la gjurmë të mëdha në historinë tonë shumë vjeçare për liri dhe pavarësi, që kulmoi me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur me 17 shkurt 2008. I përhershëm qoftë kujtimi për Presidentin Martti Ahtisaari!”- është shprehur Hoti.

Ahtisaari ka qenë presidenti i dhjetë i Finlandës, duke shërbyer nga marsi i vitit 1994 deri në shkurt të 2000-tës. Gjatë kësaj kohe Finlanda u bashkua me Bashkimin Evropian dhe kapërceu një recesion të rëndë ekonomik.

Pas largimit nga detyra si President i Republikës së Finlandës, Ahtisaari vazhdoi karrierën e tij në ndërmjetësimin ndërkombëtar të paqes dhe zgjidhjen e konflikteve dhe t’ua linte trashëgiminë dhe njohuritë e tij ndërmjetësuesve të ardhshëm të paqes.

Në nëntor të vitit 2005, ish-presidenti finlandez mori pozitën e të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për procesin e statusit të ardhshëm të Kosovës.

Në atë vit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, duke vepruar në bazë të konkluzioneve të Këshillit të Sigurimit se situata në Kosovë nuk ishte më e qëndrueshme, i kërkoi Marti Ahtisaarit të udhëheqë procesin politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës.

Vdes Maarti Ahtisaari