Ilustrimi: Diar Vuçetaj

Greqia bashkëpunuese me Kosovën, e palëkundur nga qëndrimi rreth njohjes

Një copëz shpresë se Greqia do ta njoh Kosovën ishte ngjallë në vitin 2023, gjatë kohës kur kryeministri kosovar, Albin Kurti, pati shpeshtuar vizitat zyrtare në Athinë. Por, homologu grek i tij, Kyriakos Mitsotakis së voni zbehu optimizmin që ishte krijuar në Kosovë.

“Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar”- tha Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd më 12.02.2024.

Një vit më parë, vizitat e shpeshta të Kurti në Greqi, tri sosh në muaj të ndryshëm, shiheshin si një lloj sinjali për ndryshim të qasjes së Athinës zyrtare në raport me Kosovën.

Optimizmin se gjërat do të ndryshonin për të mirë nuk e pati fshehur as vet kryeministri Kurti.

“Në vitet e fundit kemi pasur progres lidhur me komunikimin dhe bashkëpunimin me pesë shtetet jonjohëse dhe ne kemi punuar shumë në mënyrë diplomatike që ata t’i bashkohen shumicës. Greqia është e para kur vije fjala e afrimit tek njohja, gjithashtu statusi i zyrës sonë në Athinë është ngritur kohët e fundit”, pati thënë Kurti për median polake “TVP World”, më 08.09.2023.

Një skenar i mundshëm për njohje nga Greqia ekziston, ani pse, sipas një njohësi të politikës ndërkombëtare, njohja nga ky shtet do të tingëllonte si befasi.

Greqia në fakt ka njohur pasaportën e Kosovës dhe ua ka mundësuar kosovarëve që të hyjnë në këtë shtet pa viza, prej 1 janarit 2024 kur hyri në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët nga Kosova.

Pos kësaj, Kosova e ka të vendosur një zyrë diplomatike në Athinë të përfaqësuar nga i Ngarkuari i përkohshëm, Fitim Gllareva, njëjtë siç e ka Greqia në Prishtinë të përfaqësuar nga diplomatja Heleni Vakali.

Shfrytëzimi i rastit të Kosovës si instrument i politikës rajonale greke

Duke marr parasysh përvojën me qasjen greke si dhe interesat e tyre, Profesor i asociuar në Universitetin e Qytetit të Dublinit (Irlandë), Gëzim Visoka vlerëson që njohja greke do të ndodhte vetëm nëse do të kishte ndryshim rrënjësor të përllogaritjeve që i bëjnë ata, përfshirë presioni nga BE dhe NATO për të ndryshuar qëndrimin e saj.

“Por, në rrethanat aktuale kur kemi zbehje të perëndimit, do të isha i befasuar (për të mirë), nëse Greqia do të njihte Kosovën në një të ardhme të afërt”- tha Visoka për KALLXO.com.

Visoka shpreh shqetësimin që Greqia funksionon me përllogaritje dhe se ky shtet që nga viti 2008 e ka shfrytëzuar çështjen e njohjes së Kosovës si instrument të politikës së saj rajonale.

Greqia, sipas tij, kur ka dashur të demonstroj rol udhëheqës në zgjidhjen e konflikteve në rajon ka dërguar sinjale balancuese dhe sinjale që kanë kënaqur pjesërisht Serbinë, Kosovën, BE-në dhe akterët e tjerë.

“Ndërkaq, kur ka dashur të shtyj përpara politikën e saj të sigurisë dhe atë ekonomike ka ndërmarr masa më domethënëse, siç ka qenë rasti me avancimin e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën”, ka deklaruar Visoka për KALLXO.com.

Këto dinamika, siç thotë ai, tregojnë se Greqia vazhdimisht ka përfituar nga mosnjohja definitive e Kosovës.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht ligjëruesi i lëndës “Analizë  e politikës së jashtme” në Fakultetin Filozofik, Bekim Baliqi, vlerëson se marrëdhëniet e Greqisë me Kosovën varen nga një varg faktorësh të cilët kanë ndikim në njohjen eventuale të Kosovës.

“Pikësëpari, kjo ka të bëjë me marrëdhëniet kulturore e politike historikisht të afërta me Serbinë me interesin ekonomik, turistik dhe gjeopolitik në rajon por edhe me mungesën e presionit diplomatik qoftë nga BE-ja, Kosova apo Shqipëria për të na njohur si shtet”, thotë Baliqi për Kallxo.com.

Por, Visoka konsideron se njohja e Kosovës nga Greqia nuk determinohet vetëm nga raporti i saj me Serbinë, por rol të rëndësishëm, sipas tij, luan gjeo-demografia në rajon, përkatësisht ndikimi i krijimit dhe fuqizimit të një shteti të dytë të populluar me shqiptarë.

“Një konsideratë që nuk përmendet shpesh ka të bëjë lidhja e Kosovës, Shqipërisë, dhe deri një masë e Maqedonisë së Veriut me Turqinë, që paraqet kundërshtarin strategjik të Greqisë”- thotë Visoka.

Sipas tij, sa më të forta lidhjet e këtyre shteteve me popullsi shqiptare me Turqinë aq më e paqartë do të jetë gatishmëria greke për njohjen e Kosovës.

Përveç kësaj, Visoka thotë që njohja e Kosovës nga Greqia do të shkaktonte presion mbi Qipron që të zgjidhte konfliktin e ngrirë me pjesën veriore të ishullit të populluar nga turqit, e që sipas tij, aktualisht nuk ka gatishmëri për këtë gjë.

Për profesorin Baliqi, megjithatë, njohja e pasaportës së Kosovës nga ana e Greqisë është një përafrim në marrëdhëniet mes dy shteteve. “Këto marrëdhënie mund të intensifikohen me një politikë të jashtme kosovare më dinamikë dhe depërtuese”, shprehet ai.

Synimi i Kosovës për ndërtimin e urave të bashkëpunimit me Greqinë

Kosovën si shtet nuk e njohin as Qipro, Sllovakia, Rumania dhe Spanja.

Në vizitën e fundit të Kurtit në Athinë më 24.10. 2024, gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias, Qeveria kishte njoftuar që synimi i këtij takimi ka qenë thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Synimi ynë është fuqizimi i raporteve tona e ndërtimi i urave të bashkëpunimit me Greqinë”- shkruan në komunikatën e Qeverisë të asaj date.

Para kësaj vizite, Kurti kishte vizituar Greqinë edhe dy herë tjera, gjatë të cilave kishte takuar figura të rëndësishme në politikën greke.

Kurti u takua asokohe me ish-kryeministrin e Greqisë, njëherësh presidentin e nderit të Internacionales Socialiste, George Papandreou.

Qeveria kishte bërë të ditur se të dy politikanët biseduan edhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes partive politike simotra.

Ndërkaq më 08.09.2023, Kurti nga Greqia kishte dhënë lajmin që Prishtina është përzgjedhur vend nikoqir për Lojërat Mesdhetare 2030.

Dy muaj para këtij takimi, përkatësisht më 19. 07.2023, gjatë vizitës në Kretë në kuadër të edicionit të 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, Kurti ishte takuar me deputeten e parlamentit grek, njëherësh raportuesen për anëtarësimin e Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis dhe ish-kryeministrin e Greqisë, George Papandreou.

Gjatë një dreke pune kishin shkëmbyer mendime mbi intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, zhvillimet e fundit në rajon dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Së fundmi, kryeministri Kurti është takuar në Mynih me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, por në njoftimin e lëshuar nga Qeveria e Kosovës nuk përmendet askund fjala ‘njohje”.

Zhvillimi ekonomik, qeverisja e mirë, bashkëpunimi në rrafshin ekonomik dhe tregtar, mundësitë për investime në Kosovë, procesi i dialogut dhe rregullorja e Bankës Qendrore mbi Operacionet me Para të Gatshme, thuhet se kanë qenë temat kryesore të këtij takimi.

Kosova deri më tani është njohur nga 117 shtete të botës. Njohja e fundit është bërë nga Izraeli në vitin 2020.