Ilustrim
Në mungesë kuorumi nuk hidhet në votim rezoluta e PDK-së për raportin e Departamentit amerikan të Shtetit
Në mungesë të kuorumit, rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me raportin e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) nuk është hedhur në votim.
Ishte deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ai që lexoi tri pikat e kësaj rezolute, e të cilat janë:
1. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që në afat prej 30 ditësh të hartojë plan konkret për adresimin e gjetjeve të raportit të DASH-it.
2. Plani nga pika I e kësaj rezolute duhet të përmbajë masa dhe veprime konkrete për secilën gjetje të raportit si dhe afatin për përmbushjen e tyre nga institucionet respektive.
3. Kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që brenda afateve objektive të raportojë në Kuvend për implementimin e këtyre masave.
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit është diskutuar sot, më 02.05.2024, në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore, janë përmendur si disa prej problemeve me të cilat vazhdon të përballet Kosova, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, sa u përket të drejtave të njeriut në botë.
Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.