Promovimi i librit “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi” - Foto: KALLXO.com

Promovohet libri "Ora e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi", ish-presidenti Sejdiu rrëfen procesin e shtetndërtimit të Kosovës

Në kuadër të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është promovuar sot, më 14.02.2024, libri “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi” i ish-presidentit Fatmir Sejdiu.

Libri është një përmbledhje vrojtimesh dhe dokumentimesh të procesit të shtetndërtimit të Kosovës. Duke qenë edhe vetë pjesë e zhvillimeve dhe proceseve politike para dhe pas Pavarësisë, autori ka dokumentuar në mënyrë autentike gjithë rrugën e procesit të ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Ish-kryeadministratori i Kosovës, Joachim Rücker, presidentja Vjosa Osmani, ish- presidentë të Shqipërisë e folës të tjerë thanë gjatë promovimit se libri “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi” duhet të shërbejë edhe si udhërrëfyes se vetëm bashkëpunimi me miqtë ndërkombëtarë e çon me tej forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani tha gjatë fjalës së saj se përmes këtij libri dëshmohet roli vendimtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miqve ndërkombëtare në Pavarësinë e vendit. “Presidenti Sejdiu sjell në libër momente autentike që prej fillimit të ndërtimit të institucioneve të Kosovës, rrjedhën e bisedimeve për statusin, shpalljen e Pavarësisë, hartimin e Kushtetutës dhe zhvillimet e tjera politike”- tha presidentja Osmani.

Shkrimtari Lulzim Tafa tha se libri i ish-presidentit Sejdiu ofron shumë të dhëna interesante që karakterizuan periudhën e shtetndërtimit të vendit. “Libri sjell edhe skena interesante, shumica të panjohura për opinion publik, sidomos takimet që ai pati me personalitete botërore”- tha Tafa.

Për Joachim Rücker, ish-kryeadministrator i Kosovës, Sejdiu ishte presidenti i duhur në kohë vendimtare. “Ai kishte vizion dhe e dinte se procesi i shpalljes së Pavarësisë nuk mund ta kalonte OBK-në dhe UNMIK-un, dhe që të ishte e bazuar në një interpretim të saktë të Kushtetutës dhe Rezolutës 1244. Në fund, ne e gjetëm atë interpretim për tekstin e deklaratës së Pavarësisë”- tha ai.

Bamir Topi, ish-president i Shqipërisë, tha se me këtë libër Sejdiu pasuroi background-in e tij intelektual. “Është një vepër që në një farë mënyrë legjitimon background-in e fuqishëm akademik të Sejdiut, një pjesëmarrës i një etape jashtëzakonisht të rëndësishme për shqiptarët”- tha ai.

Redaktori i librit, Ibrahim Berisha, i cili fjalën e tij e nisi me një tregim për takimin e parë të Famir Sejdiut, atëherë 4-vjeçar, me të atin në burgun e Nishit, tha se libri është edhe një dedikim për gjithë brezat që sakrifikuan për atdheun. “Libri ‘Ora e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi’ ka 435 faqe, është strukturuar në 18 kapituj, varësish prej kohës dhe temave që ishin në rend të ditës në procesin negociator”- tha Berisha.

Ndërkaq, Alfred Moisiu, ish-president i Shqipërisë, tha se libri më së miri pasqyron gjithë përpjekjen për Kosovën për pavarësi. “Përmes këtij libri presidenti Sejdiu na jep një moment të rëndësishëm të ngjarjeve në një periudhë të vështirë për fatin e Kosovës”- tha Moisiu.

Avni Spahiu, ish-ambasadori i parë i dekretuar në shërbimin e jashtëm, tha se libri i Sejdiut do të jetë një referencë e pakaluar për këdo që do të shkruajë historinë e Kosovës. “Në libër bie në sy, e që është jashtëzakonisht e rëndësishme, marrëdhënia dhe bashkëpunimi i presidentit Sejdiu me miqtë ndërkombëtarë, në atë periudhë kyçe për shpalljen e Pavarësisë”- tha ai.

Kurse, Fatmir Sejdiu, autori i librit, theksoi se përmes këtij libri ka paraqitur gjithë zhvillimet dhe dramën që ka përjetuar populli gjatë okupimit serb. “Nga një situatë të investimeve dhe trazimeve të mbrapshta, besoj se ia kam dalë së bashku me bashkëpunëtoret dhe miqtë ndërkombëtarë”- tha ndër të tjera ai.

Sejdiu solli edhe momente rreth përpjekjeve për të bindur faktorët ndërkombëtare për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Fatmir Sejdiu ka qenë president i Kosovës në kohën e shpalljes së Pavarësisë, më 17.02.2008.

Sejdiu kishte marrë postin e presidentit pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova më 2006.

Më 27.09.2010, presidenti Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga posti i tij.

Promovimi i librit “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi” – Foto: KALLXO.com
Promovimi i librit “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi” – Foto: KALLXO.com