Stephen Smith, ish-ministë i Punëve të Jashtme të Australisë | Foto: X

16 vjet prej kur Australia njohu Kosovën - çfarë kishte thënë ministri i Punëve të Jashtme të Australisë?

Më 19.02.2008, dy ditë pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën Kosovën shtet të pavarur, shteti mik, Australia kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Duke kujtuar këtë moment, 16 vjet më vonë, Ambasada e Australisë në Kroaci ka publikuar fjalën e ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme të Australisë, Stephen Smith për njohjen e Kosovës.

Smith ishte pyetur në Kuvendin e Australisë më 18.02.2008 nga Maria Vamvakinou për përditësime të qëndrimit të Australisë rreth shpalljes së pavarësisë nga Kosova.

Në atë kohë, Smith sipas dokumentit të publikuar nga ambasada australiane pati thënë se Kosova shpalli pavarësinë si komb-shtet pas negociatave të pasuksesshme me Serbinë.

Ministri i Jashtëm pati thënë se “Australia e mbështet fuqishëm njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

Smith pati inkurajuar kryeministrin kosovar të asaj kohe Hashim Thaçin dhe presidentin serb të asaj kohe Boris Tadiç, që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin paqësisht.

“Qeveria e Australisë njeh shtetet-kombe, jo qeveritë. Kriteret për të njohur shtetet-kombe janë se duhet të ketë popullsi, territor të definuar, kapacitet për qeverisje efektive dhe kapacitet për të pas marrëdhënie me shtetet-komb tjera. Ne besojmë se këto kritere janë arritur në rastin e Kosovës. Si pasojë, ne jemi shumë të disponuar për ta njohur Kosovën” – kishte deklaruar Smith.

Ai pati shtuar se janë në diskutime me aleatët për ta bërë edhe njohjen formale të Kosovës.

Një ditë më pas ndodhi edhe njohja formale.