Paraburgim në Rastin e Emigrantëve të ‘Dynerit dhe Qebaptores’

Gjykata Themelore në Prishtinë u caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh katër të dyshuarve për kontrabandim me emigrantë.

Ata dyshohet se kanë dashur t’i sjellin në Kosovë tetë shtetas turq me synim kontrabandimi por në gjykatë thanë  se turqit i sollën “për të hapur dyner e qebaptore”.

Një i dyshuar është shtetas i Kosovës ndërsa tre të tjerë shtetas të Shqipërisë.

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës i dyshuari A.K shtetas i Kosovës dhe tre shtetas të Republikës së Shqipërisë M.T., B.I. dhe  Xh.S., më 1 shkurt të këtij viti rreth orës 22:00, kanë pritur 8 shtetas të Republikës së Turqisë në Aeroportin “Adem Jashari”.

Sipas prokurorisë, 8 shtetasit turq nuk i plotësonin kushtet për të qenë në Kosovë në bazë të ligjit për të huajt dhe qëllimi i tyre ishin shtetet perëndimore përmes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas prokurorisë, tetë shtetasit turq duhej t’i priste i dyshuari A.K dhe pastaj të dyshuarit e tjerë të përkujdeseshin për shtetasit turq.

Prokuroria gjithashtu pretendon se i dyshuari A.K do të merrte 50 euro për person si kompensim për akomodimin e shtetasve turq.

Në seancën e mbajtur për caktimin e masës së sigurisë, të gjithë të dyshuarit kanë mohuar të kenë të bëjnë më këtë rast dhe ishin kategorikë se nuk kishte të bënte me kontrabandim.

Kosovari A.K. tha se atij i ishte kërkuar nga M.T. që t’i akomodonte shtetasit turq dhe se ata ishin biznesmenë.

“Ai më ka prerë në besë (I referohet M.T), ai më ka thënë se ata janë shtetas turq dhe do të hapnin dyner dhe qebabtore. Unë pasi që e kam kuptuar se janë turq dhe pasi që ata kanë respekt për ne, kam qenë i gatshëm për t’i pranuar ata edhe në shtëpinë time por ai më ka prerë në besë”, tha i dyshuari A.K.

I dyshuari tjetër, shtetasi i Republikës së Shqipërisë, M.T. konfirmoi se i kishte kërkuar A.K që t’i priste dhe akomodonte shtetasit turq, por mohoi se kjo ishte kontrabandim.