Ministria e Financave

Ministria e Financave Reagon rreth Kërkesës së SBAShK-ut

Ministria e Financave, duke komentuar statusin e pazgjidhur të punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës për vitet e 90-ta, ka sqaruar se kjo ministri çdoherë tjetër por edhe në këtë rast nuk mund të jep aprovim për një Projektligj, i cili nuk i respekton procedurat e Ligjit të Buxhetit, Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe dokumentet tjera në fuqi.

Ministria e Financave përmes një komunikate për medie ka informuar të gjithë punëtorët e arsimit dhe opinionin publik sa i përket çështjes së Ligjit mbi statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës për vitet e 90-ta.

Sipas kësaj komunikate Ministria e ka trajtuar në kuadër të kërkesave me prioritetin më të lartë.

“Për këtë qëllim, ditën e premte me datën 09 mars 2018, Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur në takim Kryetarin e SBASHK-ut me stafin e tij, ku gjatë takimit i ka informuar që Ministria e Financave mbështet kërkesat dhe Projektligjin, por projektligjin për të proceduar tutje duhet të respektohen procedurat ligjore të adresimit ashtu siç e përcaktohet në nenin 18 të Ligjit të Buxhetit për vitin 2018 me nr. 06/L-020 dhe nenin 26 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësit me nr. 03/L-048, ku thuhet shprehimisht se asnjë Ministri apo cili do Institucion tjetër nuk mund të procedoj në Qeveri apo në Kuvend asnjë iniciativë të re apo të propozoj projektligj për aprovim nëse nuk e ka të zgjidhur paraprakisht çështjen e implikimeve financiare për vitin fiskal përkatësisht nuk është paraparë në kuadër të tabelave të Ligjit të Buxhetit”, thuhet në komunikatën e MF-së.

Sipas komunikatës Ministria e Financave ka kërkuar nga SBASHK-u dhe Ministria sponzoruese që t’i respektojnë procedurat ligjore gjatë procedimit të Ligjit në Qeveri, ashtu siç kërkohet me legjislacionin përkatës në fuqi duke përfshirë edhe financimin e tij në mënyrë që Projektligji të jetë ligjërisht i kompletuar para se të shkojë në Kuvend.

“Për dijeni projektligji nuk është i finalizuar, vetëm nëse është draftuar dhe më pas nuk është përcjellë me kërkesat e Ligjit para se të dërgohet për aprovim”, thuhet tutje në komunikatë.

MF përmes kësaj Komunikate, i bën thirrje SBASHK-ut dhe sponzoruesit të Projektligjit ta procedojnë për kompletim të procedurave në përputhje me dispozitat ligjore para se të aprovohet në Qeveri.

“Veprimi i kundërt apo siç kërkohet sot, do ta bëjnë Ligjin e kontestueshëm nga cili do organ tjetër duke filluar nga Kuvendi e deri tek Gjykata Kushtetuese, për çështje procedurale. Ministria e Financave si çdo herë tjetër edhe me këtë rast nuk mund të jep aprovim për një Projektligj, i cili nuk i respekton procedurat e Ligjit të Buxhetit, Ligjit për menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësit dhe dokumentarët tjera në fuqi”, thuhet në fund të komunikatës nga Ministria e Financave.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka njoftuar se nesër, 12 mars në të gjitha institucionet arsimore, gjegjësisht në shkollat fillore e të mesme dhe universitet duke përjashtuar çerdhet do të mbahet grevë njëditore. /21Media