Ministri i Financave Hekuran Murati ne Komisionin per Shendetesi dhe Mireqenie sociale

Çka parashihet në Ligjin e ri për Skemat Sociale?

Në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ministri i Financave Hekuran Murati, ka folur për Ligjin e ri për skema sociale.

Sipas ministrit Murati, për skemat sociale në Kuvend është ratifikuar marrëveshja me Bankën Botërore.

Ai ka njoftuar se këtë vit do të fillojë pilotimi i këtij ligji.

“Tani në këtë fazë punët që janë kry është bërë njësia implementuese e projektit dhe jemi duke punuar për pilotimin, sivjet do te filloj pilotimi dhe paralelisht jemi duke punu në Ligjin për skemat sociale. Ligji patjetër që parasheh heqjen e kritereve diskriminuese që kanë qenë në kategori. Për më tepër do të ketë edhe përmirësim sa i përket zbatimit” – ka deklaruar ministri Murati.

Kriteret diskriminuese që ministri Murati i ka përmendur kanë qenë për dy kategori të familjeve. Ato familje që kanë fëmijë nën moshën 5-vjeçare mund të përfitojnë, kurse kriteri tjetër nëse nuk e plotësojnë kriterin e një fëmije nën moshën 5-vjeçare, atëherë duhet që askush në familje të mos jetë i aftë për punë.

Për ato familje të cilat duan të regjistrohen dhe të jenë përfituese të skemave sociale, ministri Murati ka treguar se si duhet të aplikojnë.

“Ideja është që edhe mbështetja të jetë e bazuar në madhësinë e familjes dhe gjenerimin e të ardhurave. Familjet qe duan të regjistrohen për përfitim, duhet të regjistrohen anëtarët si punëkërkues që Agjencia të ketë një pasqyrë të qartë në mënyrë që t’iu bëj oferta të punës apo të ofroj trajnime të përshtatshme” – ka bërë të ditur ai.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës më 13 dhjetor 2023 kishte miratuar vendimet për ndarjen e shtesave prej 100 euro për fëmijët deri në 16 vjeç dhe pensionistët, për muajin dhjetor.

Ndërkaq nga muaji janar, 2023 fëmijët deri në moshën 16-vjeçare kanë përfituar nga shtesat mujore për fëmijë.