Murati: Këtë vit pritet të kemi 'boom' të investimeve kapitale

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se investimet kapitale në vitin 2023 kanë shënuar rritje prej 33 përqind, që sipas tij është niveli më i lartë ndonjëherë.

Murati ka shkruar se raporti vjetor tregon se viti 2023 është përmbyllur me rreth 561 milionë euro investime kapitale buxhetore të realizuara.

Sipas tij, lajm akoma më i mirë është se trendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të ketë “boom” të investimeve kapitale.

“Kjo shënon një rimëkëmbje të theksuar të investimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak, e njëkohësisht edhe shifrën më të lartë të investimeve kapitale të realizuar ndonjëherë. Pas viteve të pandemisë 2020-2021, dhe vitit 2022 kur punëkryesit kishin probleme me koston e materialeve ndërtimore, duket se më në fund viti 2023 ka rikthyer investimet kapitale në binarët e duhur” – ka shkruar Murati më 31.03.2024 në “Facebook”.

“Ky rezultat është i mirëpritur pas shumë e shumë punëve në rregullimin e problemeve që ishin trashëguar, me projekte të padizajnuara si duhet dhe pa kryer obligimet e shpronësimit, probleme të cilat për shumicën e projekteve tashmë janë zgjidhur”- ka shkruar Murati.

Murati ka shtuar se deri në vitin 2019, shumica dërrmuese e investimeve kapitale, 150-200 milionë euro në vit, kanë qenë pagesa për vetëm një projekt, atë të autostradës.