MAShT Fajëson Vetëvendosjen për Protestën e Nxënësve

 

Ministria e Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë ka reaguar ndaj paralajmërimeve për protestë të nxënësve për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Ministria ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po i instrumentalizon nxënësit për çështje politike dhe u ka bërë thirrje që të mos ushtrojnë presion te ta.

“Në shtetin tonë demokratik e drejta e protestës dhe reagimit qytetar është e garantuar dhe secili mund t’i manifestojë shqetësimet dhe kërkesat e veta, por në një shoqëri dhe rend demokratik, subjektet politike duhet ta bëjnë diferencën dhe të mos i instrumentalizojnë nxënësit për  hesape politike”, thuhet në komunikatën e MASHT.

Ata gjithashtu kanë bërë thirrje tek mësimdhënësit dhe prindërit që të përkushtohen në mësim cilësor për nxënësit.

“MAShT fton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe drejtorët e shkollave që t’i përkushtohen punës dhe misionit për mësim cilësor dhe vlera humane. MASHT e fton “Lëvizjen Vetëvendosje” që të reflektojë në interes të nxënësve dhe të mos ushtrojë presion tek ta por, agjendat politike t’i adresojë dhe manifestojë në formë demokratike e institucionale.”, thuhet më tutje.