Kuvendi mbyll punimet, s'ka kuorum për vendimmarrje

Kuvendi i Kosovës e ka përfunduar seancën e sotme, ku u mbajtën dy interpelanca, përderisa nuk kishte kuorum për t’u votuar edhe disa pika të tjera të rendit të ditës.

Interpelanca e parë ishte ajo e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, në lidhje me moscaktimin dhe rritjen e pagës minimale në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, e dyta ishte interpelanca e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sipas kërkesës së kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, i mbështetur edhe nga 11 deputetë, në lidhje me themelimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës Sh. A/NKEC.

Lidhur me interpelancën e dytë, deputeti i PSD-së, Visar Ymeri tha se rekomandimin që e kanë propozuar për këtë çështje, para votimit do ta diskutojnë me grupet e tjera parlamentare.

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti i mbylli punimet e seancës.

“Konstatoj se edhe kjo pikë e rendit të ditës është rezauruar. Kemi disa pika të tjera që kemi menduar t’i votojmë, por nuk ka kuorum për votim. Mirupafshim në seancën e ardhshme. Faleminderit për bashkëpunimin!”, tha Haliti.