19 janar 2024. Foto: KALXLO.com

Xhavit Haliti në seancën kundër tij deklaron se kanë synuar t'ia pamundësojnë të bëhet deputet

I akuzuari për sulmin e 18 majit të vitit 2018 në Kuvendin e Kosovës, deputeti Xhavit Haliti në fjalën e tij përfundimtare deklaroi në gjykatë se prej kur ka filluar procesi gjyqësor është synuar që ta eliminojnë nga politika.

“Ata që edhe herën e kalume…, edhe procesi kur ka filluar të më eliminojnë nga mundësia për t’u zgjedhur deputet, përkatësisht për të marrë pjesë në garë, ka qenë një akt i kombinuar dhe organizuar edhe nga politika dhe kryepokurori i shtetit…tjerët ata që e kanë urdhëruar kryeprokurorin e shtetit”- tha Haliti në fjalën e tij përfundimtare.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja e shtetit Merita Shala- Muhaxhiri, më 18 maj 2018, në Kuvendin e Kosovës, Xhavit Haliti me dashje e kishte sulmuar deputetin Arben Gashi.

Aktakuza përshkruan se Haliti e kishte shtyrë me krah dhe bërryl – në gjoks Gashin, duke kryer kështu veprën penale “sulmi”.

“Nuk jam prej atyre që nuk i marr vesh gjanat por mendoj që kjo ka ndodh aty nuk ka qenë e qëllimshme dhe po besoj që Gjykata do ta marrë vendimin e duhur dhe se të gjithë jemi të barabartë para ligjit, jam mbështetës i kësaj ideje, kam luftuar për këtë edhe kundër vetevetes të qoftë nevoja”- tha Haliti.

Në seancën e kaluar, më 4 janar 2024, Xhavit Haliti tha se me Arben Gashin nuk kishin pasur kurrfarë të keqe, e që babanë e tij e kishte pasur shok.

“Kurrfarë të keqe nuk kemi pasur, babanë e tij e kam pasur shok e jemi fqinj. I kemi fshatrat afër” – tha Haliti. 

Ai shtoi se nuk kishte qenë diçka e planifikuar ajo që kishte ndodhur dhe nuk kishte pasur qëllim që ta godiste atë.

Në po atë seancë, Xhavit Haliti për këtë rast i tha gjykatës se kishte pasur edhe raste tjera të përleshjeve ku vetë kishte qenë “viktimë” nga deputetët tjerë.

Çka thotë aktakuza për këtë rast?

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja e shtetit Merita Shala-Muhaxhiri, më 18 maj 2018, në Kuvendin e Kosovës, Xhavit Haliti me dashje e kishte sulmuar deputetin Arben Gashi.

Aktakuza përshkruan se Haliti e kishte shtyrë me krah dhe bërryl – në gjoks Gashin, duke kryer kështu veprën penale sulmi.

Gjithnjë sipas dosjes, në këtë rast ishte i përfshirë edhe deputeti Gani Dreshaj, që ngarkohej se e kishte kanosur deputetin e LDK-së, Arben Gashi. 

Sipas përshkrimit të aktakuzës, Dreshaj i kishte thënë Gashit “kom me ta prishë ftyrën” duke i shkaktuar këtij të fundit frikë dhe ankth, duke kryer kështu veprën penale kanosje.

Prokuroria përmes aktakuzës me urdhër ndëshkimor kishte kërkuar dënim me gjobë pa shqyrtim gjyqësor për të pandehurit. Për secilin ishte shqiptuar gjobë në vlerë 1,250 euro.

Dreshaj nuk e kishte kundërshtuar gjobën e shqiptuar nga gjykata ndërsa mbrojtja e Halitit e kishte kundërshtuar dënimin. Me këtë rast shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar vetëm ndaj Xhavit Halitit.

Pranimi i kundërshtimit të ushtruar nga Xhavit Haliti ka shkaktuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor për të vendosur edhe njëherë për rastin në fjalë vetëm për të, por jo edhe për Dreshajn.

Sulmi ndaj Arben Gashit në Kuvend, Xhavit Haliti sërish mungon në gjykim