Memli Krasniqi fton deputetët të votojnë rezolutën për mbështetje financiare për Policinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që në seancën e jashtëzakonshme që mbahet të enjten të votojnë rezolutën për mbështetje financiare për Policinë e Kosovës.

Kërkesa për këtë draft-rezolutë është bërë nga Partia Demokratike e Kosovës, derisa ajo nuk është votuar gjatë javës së kaluar nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes.

“Javën e kaluar, si grup parlamentar i PDK-së, kërkuam unitet që ta votojmë rezolutën për të mbështetur konkretisht Policinë e Kosovës. Grupet parlamentare të LDK-së dhe AAK-së e mbështetën këtë propozim tonin, ndërsa grupi parlamentar i Vetëvendosjes e kundërshtoi”- ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, marrë parasysh zhvillimet e fundit në vend, forcimi i Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror.

“Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në vend, posaçërisht pas 24 shtatorit, PDK konsideron se forcimi dhe mbështetja e Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror – andaj nuk mund ta pranojmë këtë qasje neglizhuese të pushtetit dhe të qëndrojmë duarkryq. Prandaj, nesër kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për ta miratuar këtë Rezolutë”- është shprehur tutje ai.

Krasniqi theksoi se policët meritojnë shtesat për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësor dhe miratimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm.

“I ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që nesër, me votën e tyre, të dëshmojnë se e mbështesin dhe janë me Policinë e Kosovës – sepse vetëm fjalët dhe postimet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë!”- shtoi tutje ai.

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar propozim-rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Derisa LVV nuk e ka mbështetur këtë rezolutë të propozuar nga PDK, partitë opozitare nuk kanë votuar miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në seancën e javës së kaluar, kryeministri Albin Kurti nuk pranoi të përgjigjet në pyetje parlamentare deri në votim të këtyre marrëveshjeve që prekin investime milionëshe.

Rezoluta për mbështetje të Policisë, Kuvendi nesër mban seancë të jashtëzakonshme