PSD: Ndërmarrja e re energjetike, në shërbim të 'Contour Global'

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet interpelanca e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në lidhje me themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës Sh. A./NKEC.

Visar Ymeri nga PSD-ja, si parashtrues i kërkesës për interpelancë, tha se NKEC ka vetëm një mision, që sipas tij është blerja e gjithë energjisë nga Termocentrali “Kosova e Re”.

“Sipas kontratës së nënshkruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Qeveria është e detyruar të themelojë këtë ndërmarrje për të ndërmjetësuar mes kompanisë ‘Contour Global’ dhe gjithë tregut energjetik të Kosovës. Sipas kontratës, ndërmarrja e re e ka obligim kontraktual që tërë prodhimin e Termocentralit Kosova e Re ta blej nga Contour Global edhe nëse kjo nuk është e nevojshme për konsumin në Kosovë”. Tha ai.

“NKEC do të jetë kryesisht në shërbim të implementimit të kontratës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Duke qenë se do të funksionojë si blerësi garantuar i energjisë së termocentralit të ri, ndërmarrja e parë që do të goditet do të jetë Korporata Energjetike e Kosovës, përkatësisht Kosova B”, tha ai.

Ymeri prezantoi edhe rekomandimet në formë rezolute, lidhur me këtë çështje:

“1. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik që; a) të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani në lidhje me regjistrimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës derisa Kuvendi të vendos për miratim të garancionit të marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë Contour Global dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Termocentralin “Kosova e Re”, b) të mos lidh asnjë marrëveshje kontraktuale, derisa Kuvendi të vendos për miratimin e garancionit dhe në këtë mënyrë të vendos nëse është dakord me këtë kontratë të nënshkruar nga Qeveria e Kosovës apo kërkon nga ajo që ta anulojë këtë kontratë dhe të gjejmë mënyra tjera shumë më të përshtatshme për investime në energji dhe për furnizim të duhur dhe të bollshëm me energji elektrike”, thuhet në rezolutën e këtij subjekti politik.