Kuvendi mban nesër seancë të jashtëzakonshme lidhur me kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë Qeverisë Kurti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet që më 14.03.2024 të mblidhen në ora 10:00 për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme.

Sipas njoftimit, në këtë seancë do të shqyrtohet propozim–rezoluta për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

Kjo rezolutë i është prezantuar Kuvendit të Kosovës nga partitë opozitare, të cilat kanë nënshkruar kërkesën për seancë.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë më 11.03.2024 ka thënë që janë mbi 350 tenderë të tillë, pasi që “tender njëburimor nënkupton dhënia e punës publike duke mos u shpallur publike, por duke thirrur kompani dhe duke i përzgjedhur në bazë të preferencës”.

“Ne konsiderojmë që kjo është çështje që duhet të diskutohet në Kuvend dhe do të shohim mundësitë e krijimit të komisionit hetimor parlamentar”- kishte thënë Gashi.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ishte shprehur se kontratat njëburimore si burim kryesor e kanë korrupsionin dhe e dëmtojnë buxhetin e shtetit.

Tahiri ka thënë se do të iniciojnë një komision hetimor për kontrata njëburimore.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se numri i madh i kontratave njëburimore duhet të adresohet te prokuroria e Kosovës.

“Ne si opozitë kemi dhënë mbështetje për seancën e jashtëzakonshme për kontratat njëburimore. Një numër i madh i këtyre kontratave duhet t’i nënshtrohen një hetimi serioz dhe një adresimi te prokuroria e Kosovës”- ka thënë ai.