Deputetet, PDK

Grupi Parlamentar i PDK-së. Foto: Kuvendi i Kosovës

PDK kërkon hetim për rastin Dehari, AAK debat për "dështimet e qeverisë Kurti"

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 22.04.2024, shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së i kanë bërë publike temat që kanë kërkuar të trajtohen në seancën plenare të radhës.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit dhe përllogaritja e borxheve të ambalazhuesve të ujit, janë temat e ngritura nga PDK-ja.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie këmbëngulin në themelimin e një Komisioni hetimor parlamentar për rastin Dehari.

“Sa i përket angazhimit tonë, ju e dini që kemi ngritë një çështje për të cilën, ministrja e Drejtësisë dhe personat tjerë përgjegjës po i ikin. Ne kemi ngritur disa pyetje për humbjen e mostrave të Astrit Deharit dhe pastaj gjetjen e tyre. Ne vazhdojmë të këmbëngulim që të realizohet propozimi jonë për formimin e Komisionit hetimor për të hedhur dritë mbi këtë çështje”- ka thënë Tahiri.

Veç kësaj, ai ka thënë se edhe çështja e borxheve të ambalazhuesve të ujit duhet të trajtohet nga një komision hetimor tjetër.

“Javën e kaluar jemi njoftuar edhe me një ngjarje të ambalazhuesve të ujit. Ka të bëjë me përllogaritjen e borxheve të ambalazhuesve të ujit. Kjo çështje duhet të trajtohet përmes Komisionit Hetimor. Qysh është e mundshme që dhjetëra milionë euro të reduktohen. Këtu kemi të bëjmë edhe me një abuzim penal”- tha ai.

Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kanë kërkuar që në rend dite të seancës së radhës të jenë “dështimet e tri viteve të qeverisjes së Albin Kurtit”.

“Ne si GP kemi kërkuar që pikë e parë e rendit të ditës ne seancën e radhës të jetë debati për tri vitet e Qeverisë së Albin Kurtit. Një debat i cili do të shpërfaq degradimin total të kësaj qeverie në këto tri vite, në veçanti në zhvillimin ekonomik. Neve na u tha që kryeministri nuk do të jetë në javën e ardhshme dhe do të kërkojmë mocionin tonë për shkarkimin e kryeministrit”- ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë plenare këtë të enjte më 25.04.2024.

Kryetarja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila, ka njoftuar se në ketë seancë në rend të ditës janë marrëveshjet ndërkombëtare.

Ajo tha se shpresojnë që do të ketë dakordim mes grupeve parlamentare në Kuvend për votimin e tyre.

“Është caktuar seancë për të enjten me fillim në ora 10:00. Në agjendë janë 13 marrëveshje ndërkombëtare, mbesim me shpresën për konfirmim nga dy partitë opozitare, LDK dhe AAK, që një numër të madh të këtyre marrëveshjeve t’i votojmë”- u shpreh Kusari- Lila.