Foto: Atdhe Mulla

Prishtina në 'Sedrën' e Shpend Ahmetit, Sami Hamitit e Lirak Çelajt

Shpend Ahmeti ka hyrë në vitin e tretë të qeverisjes së komunës së Prishtinës me bindjen se komuna që ai e drejton është duke u monitoruar “në mënyrë të jashtëzakonshme” për faktin se ai e qeveris kryeqytetin e Kosovës dhe se vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Që nga paslufta në katër mandatet qeverisëse Komuna e Prishtinës është qeverisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK ndërsa Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë deri më tani që e ka fituar garën për kryetar të komunës së Prishtinës.

Shpend Ahmeti në zgjedhjet lokale të vitit 2013, e ka mposhtur kundërkandidatin e tij Isa Mustafa, të cilit në një moment iu kishte krijuar përshtypja që do ta fitojë garën në kryeqytet “me duar në xhepa”.

Por, e kundërta ndodhi pasi ai ka fituar garën për kryetar të Prishtinës, madje nuk ka pranuar të bëjë koalicion me asnjë subjekt politik.

Shpend Ahmeti qeveris Prishtinën, por partia e tij Vetëvendosje nuk e ka shumicën e këshilltarëve në asamblenë komunale.

Më së shumti këshilltarë ka LDK (19), Vetëvendosje ka 10, PDK 8, AKR 4, AAK 3, Lëvizja për Bashkim dhe Partia e Drejtësisë nga 2, ndërsa Partia e Fortë, Lista Serbe dhe KDTP nga 1 këshilltar.

Ahmeti ka zgjedhur të mos bëjë koalicion në qeverisjen komunale dhe kjo e ka shtyrë LDK-në dhe PDK-në, pak edhe nga inercioni i koalicionit në nivel qendror, që t’i bashkojnë votat në shumë iniciativa të ekzekutivit komunal.

Por Shpend Ahmeti mohon që bllokada të jetë “punë sedre”.

“Kompromisi nuk mund të arrihet mbi parimet bazë. Nuk mundem unë të ndaj drejtora të shkollave, nuk e bëj atë punë”, thotë ai duke iu referuar, siç thotë, kërkesave të PDK-së për t’i ndarë madje edhe pozitat e drejtorëve të shkollave në komunë si pjesë e negociatave eventuale për koalicion komunal.

Ahmeti, ishte zotuar për 12 premtime, ndërsa dy vite pas zgjedhjeve lokale në debatin Jeta në Kosovë, së bashku drejtorët dhe asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës kanë zhvilluar debat se çka është realizuar brenda kësaj periudhe, cilat zotime nuk kanë filluar ende të realizohen dhe pengesat me të cilat janë ballafaquar pozitë e opozitë.

“Nga 12 premtimet e dhëna, gjysma e më shumë janë përmbushë”, tha Ahmeti në debatin “Jeta në Komunë”.

I pari i Prishtinës fillimisht e ka cilësuar si një nga rastet e rralla që ai ka mundësi të bëjnë debat në Kuvendin Komunal.

I pyetur se pse për dy vite të qeverisjes asambleja me kryetarin ka pas mungesë totale të komunikimit, Ahmeti tha “qeverisja qendrore në çdo mënyrë tenton t’i bllokojë ato projekte të cilat do të ishin edhe më të dukshme”.

Sami Hamiti, kryesues i grupit më të madh opozitar në Prishtinë nga LDK-ja, tha se nuk e kanë bllokuar opozita punën e kryetarit por kryetari e ka bllokuar vetë.

Nuk janë blloku prej asamblesë fare. Komunikimi duhet të vijë prej ekzekutivit në Kuvend. Ky i ka ikë debatit në kuvend se nuk ka ardhur 7 – 8 muaj”, tha Hamiti.

Edhe kryesuesi i PDK-së Lirak Çelaj nuk e ka pranuar se ka bllokadë.

“Nuk është e vërtetë që ka bllokadë, prej 220 pikave që na janë sjellë prej kësaj asambleje janë vetëm tri që nuk janë pranu me vërejtje konkrete”, tha ai.

Premtimin për hapjen e çerdheve të reja në Komunën e Prishtinës, Ahmeti tha se është duke e realizuar. Ai shpreson që deri në fund të mandatit do të hapin sa më shumë që është e mundur. Deri më tani janë funksionalizuar çerdhja në Mati 1, në Hajvali dhe në Besi.

Kurse moshapjen e bibliotekave të reja Shpend Ahmeti e arsyetoi me hapjen e 12 këndeve të reja të leximit nëpër shkolla. “Funksionalizimi i bibliotekës së qytetit do të ndodh shumë shpejt”, tha ai.

Agim Gashi, asamblist i LDK-së, kërkoi të dijë se pse nuk janë realizuar të paktën 50 për qind e premtimeve të Ahmetit, ndërsa Muhamet Selmani nga PDK-ja kërkoi llogari nga Ahmeti për intervenimet që i ka bërë për funksionalizimin e bibliotekës.

“Në qoftë se biblioteka ka pasë mjete për ndërtim ose gjëra tjera për intervenim shtesë pse për dy vite nuk është bërë një intervenim i tillë. Nëse janë bërë, mundesh me na e dhanë kryetar kontratën ose tenderin që u shpallë për këtë punë”,

Ahmeti ia ka numëruar Gashit të mirat që konsideron se i ka bërë për arsim duke i përmendur shujtat falas nga klasa 1 – 5, investimin në pajisje shkollore për të lehtësuar çantat e fëmijëve. Ndërsa, Selmanit i cili, sipas Ahmetit, i ka specialitet tenderët tha se do t’ia japë numrin e tenderit për të parë se çfarë punime janë kryer dhe cilat po përfundojnë.

Sa i përket pishinës olimpike për të cilën Ministria e Kulturës ia kishte dedikuar 500 mijë euro  ndërsa komuna nuk i kishte shpenzuar ato mjete, Ahmeti tha se nuk e kanë caktuar lokacionin dhe kanë dashur ta ndërtojnë në partneritet publiko privat..

“Nuk është puna vetëm e lokacionit por edhe e kostos që ajo kushton mbi 6 milionë euro të cilat nuk po dëshirojmë me i shpenzu prej buxhetit tonë por po dëshirojmë me pas investim prej sektorit privat”, theksoi Ahmeti.

Premtimin për të cilin kryetari pati thënë se do të japë dorëheqje nëse nuk e realizon brenda 24 muajsh është ai i furnizimit me ujë për qytetarët.

Por, ai tha se do ta vazhdojë betejën duke e cilësuar si betejën më të rëndësishme të banorëve të Prishtinës.

Ankesat e Ahmetit u bazuan në bordin e ujësjellësit regjional të Prishtinës. Ai tha se qeveria e ka larguar emrin e përfaqësuesit të Prishtinës në bord dhe e ka zëvendësuar me të Podujevës.

“E kemi dërguar emrin në asociacion të komunave, asociacioni e ka dërguar emrin dhe ka thënë ky është propozimi i Komunës së Prishtinës. Qeveria duhet me i dërgu dy emra dhe dy zëvendësime. Ju e keni heq emrin kryesor e keni shti zëvendësimin i cili është një i komunës së Podujevës tjetri i Komunës së Lipjanit të dyja të qeverisura nga LDK-ja”, tha Ahmeti duke shtuar se kjo është bërë me arsyetimin që ta kthejnë sërish në ujësjellës Gjelosh Vataj dhe ta largojnë Selatin Ratkocerin.

Vlora Dumoshi, asambliste e LDK-së e cila është edhe shefe e kabinetit të kryeministrit tha se emrin nuk e ka heqë qeveria.

Ndërkaq, Islam Pacolli kryesuesi i grupit AKR tha se përderisa nuk ka bashkëpunim nuk ka zgjidhje për problemin e ujit.

“Është për keqardhje mos me pas një përfaqësues komuna e Prishtinës në ujësjellësin aty”, tha ai.

Sa i përket autobusëve të trafikut urban që pritet të vijnë si donacion nga jashtë, Ahmeti tha se si komunë janë të gatshëm të shpallin fituesin dhe brenda 120 ditëve të vijnë autobusët sepse paratë vijnë menjëherë.

Por, sipas tij Ministria e Financave e ka bllokuar procesin.

“Këta kanë pas detyrë vetëm me aprovu dhe me dërgu në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kjo qe katër muaj e diçka nuk ndodh”, tha ai.

Ndërkaq, sipas një përgjigje që Ministria e Financave e ka dhënë për Jeta në Kosovë është se Trafiku Urban ka ushtrues detyre dhe bordi është i pa kompletuar prandaj nuk dëshirojnë që garancionin t’ia japin një ushtruesi të detyrës.

Trafiku urban nuk ka ushtrues detyre. Trafiku urban ka drejtor ekzekutiv zoti Mustafë Halimi i cili është zgjedhë me proces të rregullt. Është zgjedhë drejtori me konkurs. Ligji për ndërmarrjet publike thotë që në rastet kur kemi një vendim që është mbi 20 për qind e vlerës së kompanisë në këtë rast është 10 milionë euro kemi të bëjmë me një vendim atë herë autorizimi i bëhet drejtorit ekzekutiv nga aksionarët. Në këtë rast aksionar i Trafikut Urban janë Genc Bashota si përfaqësues i imi dhe Lirije Aviu e Shaip Hajrzi”, tha Ahmeti.

Sipas tij, autorizimi është nënshkruar nga Genc Bashota, Lirije Avdiu dhe Shaip Hajrizi për t’i dhënë të drejtën drejtorit me nënshkruar kredinë.

Se pse nuk është përfunduar stadiumi në Hajvali, drejtori i Infrastrukturësë në komunë, Hysen Durmishi tha se në 2017 fusha do të jetë e gatshme për shfrytëzim për klube.

Ndërkaq, për këtë stadium, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal i kishte planifikuar 80 mijë euro por i kishte tërheqë më vonë pasi komuna nuk ka nuk i ka menaxhuar në mënyrë aktive kërkesat për prokurim sipas planit kohor të caktuar nga Marrëveshja për financim.

Në debat është diskutuar edhe për gjelbërimin dhe mbeturinat. Ahmeti tha se i kanë pastruar rreth 170 deponi, ndërsa ka përmendur edhe fusha të gjelbëruara nga qeverisja e tij.

Si arritje në të këtyre dy vite qeverisje Ahmeti tha se Prishtina po i kthehet normalitetit, pasi tha se ka ndalë ndërtimet pa leje. Ai është shprehur se në Prishtinë ka 46 mijë ndërtime pa leje.

Ai tha gjithashtu se e ka ndalë krimin e korrupsionin dhe, sipas tij, Prishtina prin në procesin e legalizimit në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

“Prishtina po i kthehet qytetarëve”, ka përfunduar Ahmeti.