Pasaporta e Republikës së Kosovës Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com

Nga sot pa kontrolle të pasaportave dhe letërnjoftimeve në kufirin Kosovë-Shqipëri

Nga sot, 01.05.2024, ka hyrë në fuqi marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë për kalimin e kufirit pa kontrolle të pasaportave dhe letërnjoftimeve për shtetasit e dy vendeve.

Për këtë marrëveshje kishin njoftuar gjatë muajit prill ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe homologu i tij shqiptar, Taulant Balla.

Ata kanë bërë të ditur se me protokollin e ri, që zëvendëson të vjetrin, mundësohet lëvizja me procedura të shpejtuara gjatë 9 muajve të vitit për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë/Morinë.

“Përmes këtij nënshkrimi të këtij protokolli të ri do të mundësohet lehtësimi i procedurave të kalimit, verifikimit kufitar në pikën e përbashkët Morinë-Kukës nga 1 maj deri më 30 shtator dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt, domethënë 9 muaj gjatë tërë vitit në ndryshim nga protokolli i vjetër që parashihte vetëm katër muaj, nga 1 qershor deri më 30 shtator” – kishte theksuar ministri Balla.

Lehtësohen edhe më shumë procedurat e kalimit në kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, Balla dhe Sveçla nënshkruajnë marrëveshjen