Kurti për 1 Maj: Kemi dëshmuar kujdes të shtuar për gjendjen e punëtorëve në shoqërinë tonë

Kryeministri Albin Kurti Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Majin e ka quajtur thirrje për solidaritet dhe organizim sindikal.

Kurti në postimin e tij në Faceook ka thënë se Qeveria që ai udhëheq ka ndërmarrë një sërë masash të cilat lidhen me gjendjen e punëtorëve në Kosovë.

“Gjatë 12 muajve të fundit kemi dëshmuar kujdes të shtuar për gjendjen e punëtorëve në shoqërinë tonë. Inspektorati Qendror i Punës për të mbikëqyrur të drejtat e punëtorëve në vitin 2023, në krahasim me vitin 2020, ka trefishuar numrin e inspektimeve, duke realizuar 8,114 inspektime. Kemi dyfishuar buxhetin për Inspektoriatin i cili përgjatë viteve 2022 dhe 2023 përmes procedurave të rekrutimit ka dyfishuar numrin e inspektorëve të punës. Sivjet numri i inspektorëve arrin në 150 duke përmbushur kësisoj premtimin tonë për pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës”- thuhet në postimin e Kurtit.

Kurti tha se agjendën e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe punësimit do ta pasurojnë me ndryshimin e Ligjit të Punës dhe Punësimit përmes të cilëve do të sigurojnë më shumë të drejta e më shumë mundësi për punësim dinjitoz.

Kryeministri Kurti theskoi se punëtorët në sektorin privat duhet të jenë në solidaritet me njëri-tjetrin dhe të organizohen nëpër sindikatat e tyre.

“Ne duhet të jemi aleatët e tyre të besueshëm e të gatshëm. Vetëm të bashkuar, me sindikata të fuqishme dhe me mbështetje të gjerë shoqërore dhe institucionale zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligark për të shfrytëzuar dhe heshtur punëtorët. Më shumë bashkim, më shumë organizim, më shumë fuqi”- shtoi kryeministri i Kosovës.

1 Maji është Dita Ndërkombëtare e Punës, e cila shënohet çdo vit për të kërkuar të drejtat e punëtorëve.

Në këtë ditë sindikata të punëtorëve mbajtën një protestë në Prishtinë. Ndër arsyet e përmendura nga kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj,  për protestën ka “qasja e keqe e Qeverisë ndaj punëtorëve të arsimit”.

Jasharaj: Qeveria të veprojë që mos të përsëritet viti 2022