Kërkohet Përgjegjësi për Degradimin e Hamamit të Prishtinës

Gjendja e trashëgimisë kulturore të Kosovës është diskutuar sot nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë dhe Sport.

Në komision prezent ishte Iniciativa “Ruaje Tënden”, përfaqësuesit e të cilës diskutuan për promovimin e Hamamit të Madh të Prishtinës dhe theksuan se qëllimi i tyre është shpëtimi i këtij monumenti.

“Fillimisht si qëllim kishim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe institucioneve përmes mediave të reja për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Mirëpo, pastaj duke i pasë parasysh dëmtimet nga tentimi i bërë për ta konservuar Hamamin e Madh të Prishtinës ne u përqendruam në mbrojtjen e ruajtjen e këtij monumenti të rëndësishëm për ne”, tha përfaqësuesja e kësaj iniciative Donjeta Gashi.

Iniciativa “Ruaje Tënden” ka dhënë disa rekomandime për institucionet relevante.

“Të bëhet publikimi i raportit të Komisionit të formuar nga Komuna e Prishtinës për të vlerësuar punimet e bëra në realizimin e projektit, të formohet një komision ekspertësh të fushës nga institucionet përgjegjëse të Ministrisë Kulturës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe Komuna e Prishtinës për të vlerësuar punimet e bëra deri më tani për realizimin e projektit dhe për të dhënë udhëzimet e nevojshme për të vazhduar punën tutje, të merren masa të menjëhershme nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës për ndalimin e degradimit të mëtutjeshëm të këtij monumenti të rëndësishëm. Institucionet përkatëse duhet të bëjnë edhe një inspektim të ri dhe të mbledhin gjitha të dhënat nga dëmtimet e shkaktuara në Hamam”, ishin këto rekomandimet e iniciativës.

“Ruaje Tënden” ka kërkuar në mënyrë urgjente nga institucionet përkatëse që të hartojnë planin e konservimit, restaurimit si dhe kthimit të origjinalitetit apo të identitetit të Hamamit të Madh të Prishtinës.

Me rekomandimet e iniciativës u pajtuan edhe anëtarët e Komisionit, ndërsa kërkuan që kur të diskutohen këto tema të jenë prezent edhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës si dhe Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Salih Morina, anëtar i këtij Komisioni, tha se institucionet përgjegjëse duhet të parandalojnë një degradim kaq të madh.

“Mendoj që gjithë akterët që janë përgjegjës në këtë rast dhe Ministria e Kulturës, Këshilli, të angazhohen dhe ta parandalojmë një degradim kaq të madh”, tha ai.

Edhe anëtari tjetër, Shpejtim Bulliqi, tha se degradime të tilla ka në të gjitha vendet e Kosovës.

Ai tha se duhet të jepet përgjegjësi nga institucionet përkatëse ku janë shpenzuar paratë të cilat janë ndarë për Hamamin e Madh.

“Në bazë të asaj që ne e vërejtëm po del që është një shumë relativisht e madhe e mjeteve që janë investu ose janë paraparë të investohen në këtë projekt. Është një shumë mbi 700 mijë euro. Mendoj që është një përgjegjësi e madhe e atyre institucioneve të cilat është dashtë me menaxhua qysh duhet dhe me mbikëqyr krejt këtë proces”, u shpreh Bulliqi.