Foto: Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK), Facebook

Komuna e Podujevës i ofron mbështetje financiare dhe asistente për fëmijë, familjes së katërnjakëve

Komuna e Podujevës do t’i ofrojë mbështetje financiare dhe një asistente për kujdesin e fëmijëve, nënës që lindi katërnjakë.

Shuma e kësaj mbështetje pritet të jetë 4 mijë euro, ndërsa asistentja në kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi njoftoi për këtë mbështetje institucionale, derisa u shpreh i gëzuar për këtë lajm.

“Lajm i mrekullueshëm lindja e katërnjakëve nga një nënë e re në QKUK, ky është një bekim i madh për familjen e gëzim për mbarë shoqërinë” – ka shkruar ai në Facebook.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e komunës, Fatri Zhitinë i cili tha se paratë do të ofrohen në bazë të rregullores së komunës për subvencione, sipas të cilës, familja duhet të aplikojë për të fituar mbështetjen financiare.

“Sipas të gjitha gjasave do të jetë 4 mijë euro dhe komuna do t’ua sigurojë një asistente për fëmijë, derisa fëmijët t’i bëjnë dy vjet… Kemi kontaktuar familjen, u kemi thanë me ardhë me e mbush atë formularin që duhet” – tha Zhitia.

Subvencione të tilla nuk ofrohen për të gjitha nënat në Podujevë, mirëpo Zhitia tha se ky ka qenë rast më i veçantë, për shkak se familja kanë më shumë shpenzime.

Ndërkaq, ofrimi i asistentes, sipas tij bëhet përmes Rregullores për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil.

“Rregullorja u mundëson institucioneve me angazhu zyrtarë të rinj me shërbime të veçanta, në këtë formë, na nuk ia bëjmë përzgjedhjen, vetë nana e zgjedh kë do me pas kujdestar të fëmijëve, na veç ia kompensojmë” – shtoi ai.

Lindja e katërnjakëve është rast i rrallë në Kosovë. Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj thotë se lindje të tilla ndodhin 1 në 700-800 mijë.

“Me vite nuk kemi pasë. Më duket lindja e fundit ka qenë para 28 viteve, pesënjakë kanë lindë këtu” – tha ai në një intervistë për KALLXO.com.

Nëna dhe fëmijët që kanë rreth tri javë që kanë lindur, sipas Ndrejajt janë ën gjendje shumë të mirë dhe së shpejti pritet të lirohen për në shtëpi.