Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi dhe Abedin Zeka - Foto -Fcb

Shoferi i Komunës emërohet anëtar i përkohshëm në Bord të KRM 'Pastrimi' në Podujevë

Abedin Zeka është emëruar zyrtarisht anëtar i përkohshëm në Bordin e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi’’ në Komunën e Podujevës.

Në dokumentin e protokoluar më 07.03.2024 të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se Zeka me profesion historian emërohet si anëtar i përkohshëm në Bord të Ndërmarrjes KRM ‘Pastrimi’.

Abedin Zeka gjithashtu është i punësuar si shofer në komunë. Njëkohësisht Zeka është edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, dega në Podujevë.

Lajmin për emërimin e tij në pozitën e anëtarit të përkohshëm në bordin e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi’’ e ka konfirmuar vetë Abedin Zeka. Ai gjithashtu e ka konfirmuar se është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe se ai në punën e tij prej shoferi në Komunë e vozit veturën me të cilën udhëton kryetari Bulliqi.

“Po jam anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, jam gjithashtu njëri ndër themeluesit e degës’’- tha ai për KALLXO.com.

“Jam shofer i kryetarit Bulliqi dhe jam punësuar që 2 vite”- shtoj Zeka.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka thënë që për këtë rast t`i drejtohemi LVV-së në Podujevë dhe Administratës në Komunë.

“Ju lutem për këto pyetje drejtohuni zyrës së partisë, drejtohuni administratës komunale”- tha kryetari Bulliqi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje komunës së Podujevës për të kërkuar sqarime rreth pozitës së Abedin Zekës, por deri më tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Për ta emëruar shoferin e kryetarit në këtë pozitë, komisioni komunal i aksionarëve të Komunës së Podujevës e ka shkarkuar fillimisht ish-anëtarin e bordit, Bujar Asllanin. Asllani ishte emëruar në këtë pozitë para një viti.

Shkarkimi i Bujar Asllanit, u arsyetua me “skadimin e kontratës si dhe gjendjen jo të mirë të krijuar në këtë ndërmarrje”.

KALLXO.com ka kontaktuar me Bujar Asllanin i cili i ka mohuar këto arsyetime të aksionarëve dhe ka treguar që ai nuk ka qenë fare i njoftuar për shkarkimin e tij.

‘’Unë nuk kam qenë i njoftuar për shkarkimin tim nga aksionarët, as nuk kam pasur ankesa nga ta për punën time paraprake’’- tha Bujar Asllani.

‘’Asnjë gjetje nga raporti i auditorit për punën time gjatë periudhës që kam qenë i emëruar nuk ka pasur, bashkëpunimi me aksionarët ka qenë shumë i mirë’’- shtoi Bujar Asllani

Në vend të Asllanit dy anëtarët e komisionit, Bahri Selimi dhe Drita Pajaziti e propozuan për emërim në këtë Bord, Abedin Zekën.

KALLXO.com ka kontaktuar me Bahri Selimin nga Komisioni i Aksionarëve.

Ai ka pohuar që Abedin Zeka është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, qendra në Podujevë dhe është i punësuar si shofer në komunën e Podujevës.

“Abedin Zeka është shofer në administratë të komunës, ai është punësu në komunë se di saktë, ndoshta dy vjet, pas ardhjes së VV në pushtet”- tha Bahri Selimi.