Seanca 22.02.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto: Jetlira Buzhala/KALLXO.com

Zyrtarja e komunës në Podujevës dhe një drejtor shkolle në mesin e të akuzuarve për manipulim me vota në zgjedhjet e 2017-tës

Liridona Rrahmani, zyrtare për informim në Komunën e Podujevës dhe Muhamed Sejdiu janë paraqitur të enjten më 22.02.2024 në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat për falsifikim të rezultateve të votimit më 22.10.2017 në vendvotimin 1822E/01R në shkollën fillore “Ali Hadri” në Podujevë.

Ata po akuzohen se në bashkëkryerje me Nysret Sylën, Naser Hoxhën, Muharrem Kastratin dhe Basri Ejupin, kanë falsifikuar rezultatet e votimit për deputetë të Kuvendit të Kosovës duke manipuluar sipas Prokurorisë me 263 vota.

Në seancën e sotme fillestare asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat e prokurorisë të ngritura më 26.04.2021.

Sipas dosjes së prokurorisë Muhamed Sejdiu ka qenë në cilësi të kryetarit të Këshillit të vendvotimit, kurse të akuzuarit tjerë kanë qenë anëtarë të këtij Këshilli dhe në bashkëkryerje e me marrëveshje paraprake kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.

Pozicionin e saj në komunë, Liridona Rrahmani e deklaroi para gjyqtarit Gazmend Bahtiri kur u pyet nëse punon diçka.

“Zyrtare për informim dhe monitorim të Mediave në komunën e Podujevës” – tha ajo.

Përveç Rrahmanit, Muhamed Sejdiu deklaroi se është Drejtor i Shkollës “Isa Boletini “ në Podujevë.

KALLXO.com ka kontaktuar me kabinetin e kryetarit Shpejtim Bulliqi, saktësisht zëdhënësin Fatri Zhitia, i cili tha se e njëjta (Liridona Rrahmani) punon në këtë pozicion që nga viti 2020 dhe është në dijeni për rastin, por ka menduar se ky rast është mbyllur. Ai tha se “nuk beson” që kryetari është në dijeni.

“Po Liridona punon si zyrtare e informimit prej prillit 2020, por kjo ka ndodhur me shumë qytetarë, kjo demek për disa manipulime me vota. Unë kam mendu se është mbyllur ajo lëndë. Unë jam në dijeni, kryetari dhe të tjerët besoj që nuk janë . Ma ka tregu rastin më herët që është akuzu, por s’ka pasë diçka. Shumë prej Podujeve ka pasë, jo veç Liridona, por shumë ka pasë që i ka thirrë Prokuroria si të dyshuar” – tha Zhitia për KALLXO.com.

Lidhur me të akuzuarin Muhamed Sejdiu, drejtori i arsimit në këtë komunë Avni Fetahu tha se nuk është në dijeni që drejtori i shkollës në fjalë është i akuzuar për këtë rast dhe se Sejdiu i ka kaluar procedurat e konkursit.

“Unë tash po e marr këtë informatë. Kjo paska qenë në një periudhë të caktuar në vitin 2017. Procedurat e konkursit që janë zhvilluar kërkohet një dokument që është nën hetime ose diçka në gjykatë, dhe atë fazë e ka kaluar. Ka sjellë dokument se përndryshe s`kishte mujt me u emëru si drejtor. Dhe këtë po e dëgjoj prej juve” – tha Fetahu për KALLXO.com.

Ai shtoi se drejtori në fjalë është në këtë pozitë qe 1 vit ose 1 vit e 2 muaj sipas procedurave të konkursit me komision të veçantë, dhe nuk mund të pretendojë se çka vendos gjykata deri në një vendim gjyqësor.

Dosja e prokurorisë thotë se të akuzuarit i kanë shtuar 26 vota kandidatëve të preferuar dhe i kanë hequr 237 vota, duke dëmtuar kështu kandidatët brenda subjekteve politike.

“Kanë falsifikuar rezultatet e votimit, duke manipuluar me 263 votat e kandidatëve brenda përbrenda subjektit të njëjtë politik, ashtu që: kandidatëve të preferuar të tyre u kanë shtuar 26 vota, duke i hequr 237 vota dhe atë duke i shtuar: PDK 14 vota, LDK 7 vota, AAK 2 vota, po ashtu kanë hequr 237 vota; PDK 15 vota; LDK 159 vota; AAK 39 votë, NISMA 1 votë, AKR 1 votë, PD 3 vota FJALA 7 vota; OBKD 9 vota, të cilat i kanë bartur në Formularin e Përputhjes të të dhënave dhe rezultateve…” – përshkruhet në dosjen e prokurorisë.

Me këto veprime, Prokuroria pretendon se është dëmtuar edhe KQZ-ja.

Avokatët e të akuzuarve kanë afat prej 15 ditësh që të bëjnë kundërshtimin e aktakuzës dhe provave, sipas udhëzimit të gjyqtarit Gazmend Bahtiri.