Foto-ilustrim

Dilema rreth shkeljes së privatësisë të të dyshuarve në rastin e vrasjes në Podujevë

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri në Bashkësi në Komunën e Podujevës, ka folur për evidencën dhe masat e shqiptuara ndaj njërit prej dy të miturve që po dyshohen për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu.

Bulliqi ka treguar detaje lidhur me numrin e rasteve penale për të cilat është hetuar i dyshuari kryesor, për sa prej tyre është dënuar si dhe për masën e dënimit të shqiptuar.

Por, Kodi i drejtësisë për të mitur i konsideron të dhëna të mbrojtura dënimet ndaj të miturve.

Neni 18, paragrafi 3, i këtij Kodi parasheh që të dhënat mbi masat dhe dënimet e shqiptuara ndaj të miturit janë konfidenciale.

Aty thuhet se vetëm gjyqtari kompetent dhe prokurori i shtetit për të mitur mund të marrin informatat e tilla kur kjo është e nevojshme për zbatimin e procedurës ndaj individit të njëjtë derisa ai është ende i mitur.

Edhe Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale e kategorizon si të dhënë të ndjeshme çfarëdo përfshirje në ose heqje nga evidencat penale ose të kundërvajtjeve.

Komisionerja për Privatësi, Krenare Sogojeva Dërmaku, ka thënë se për të dhënat penale të të miturve kërkohet një masë e veçantë për shfrytëzimin e tyre.

“Në parim, për të dhënat penale të të miturve kërkohet një masë e veçantë mbrojtjeje nga qasja, shfrytëzimi apo përdorimi i tyre. Kontrolluesit duhet të ndërmarrin masa për mbrojtjen e tyre” – ka thënë përmes telefonit për KALLXO.com komisionerja Krenare Sogojeva Dërmaku.

Ajo thotë se kontrolluesit e të dhënave, në këtë rast gjykatat, e kanë për obligim që t’i përdorin të dhënat vetëm për raste legjitime.

“Pra, i takon kontrolluesit të të dhënave që vetëm për qëllime të qarta dhe legjitime t’i përpunojë ato të dhëna, ashtu siç parash legjislacioni përkatës në fuqi” – ka shpjeguar më tutje Krenare Sogojeva Dërmaku.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, po ashtu ka folur rreth masave disiplinore të aplikuara nga shkolla për tjetrin person që dyshohet për rastin e Lulzim Fejzullahut.

Për këtë rrjedhje të të dhënave komisionerja thotë se përgjegjësia i mbetet shkollës.

“Përsëri në parim mbetet përgjegjësia tek kontrolluesi që është shkolla” – ka thënë Krenare Sogojeva Dërmaku.

Por, megjithatë, ajo thotë se personat që e prishin rendin juridik nuk e gëzojnë privatësinë në masën e zakonshme.

“Gjithsesi personat që kryejnë vepra penale, që e prishin rendin juridik, në kohën kur e kryejnë këtë veprim, nuk gëzojnë privatësi në masën e një rrethane të zakonshme” – ka qartësuar komisionerja.

Avokati Artan Qerkini thotë se kryetari nuk duhet të përfshihet në punë ligjore, pavarësisht moshës.

“Nuk i takon kryetarit me u përzi në çështje që janë puro ligjore e në procedurë e sipër në prokurori e gjykatë. Nëse gjykata kërkon zyrtarisht diçka prej komunës e që është me relevancë për këtë çështje penale atëherë komuna mundet me iu përgjigj kërkesave të gjykatës” – ka thënë përmes telefonit për Kallxo.com, avokati Artan Qerkini.

Sipas tij, për profilin e dy të dyshuarve për vrasjen mund të flitet vetëm në gjykatë.

“Kjo metodë e deklarimit publik është e papranueshme sado që rasti është shumë i rëndë, edhe pasojat janë shumë të rënda, por nuk i takon askujt që në çfarëdo forme të ndikojë në organet e drejtësisë. Për profilin e tyre nuk mund të flitet në opinion por vetëm në shqyrtim gjyqësor” – ka thënë avokati.

18-vjeçari Lulzim Fejzullahu ka vdekur më 20 janar në QKUK, ku ishte dërguar pasi më 14 janar ishte goditur me veturë e më pas ishte rrahur brutalisht me mjete të forta nga dy persona, për të cilët pretendohet se janë të mitur.