Takimi i Ramush haradinajt me Avokatin e Popullit | Foto: ZKM

Jashari Shfaq Shqetësimet për Shkeljen e të Drejtave të Njeriut

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim avokatin e popullit, Hilmi Jashari, i cilin e ka uruar kryeministrin për detyrën.

Në takim, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Qeverisë, me qëllim të avancimit të të drejtave të njeriut në vend.

“Avokati i Popullit e ka njoftuar Kryeministrin Haradinaj me çështjet të cilat i trajton ky institucion, të drejtat e njeriut përballë shtetit dhe institucioneve, siç janë rasti i faturimit të energjisë elektrike, konkretisht detyrimi i qytetarëve të paguajnë për rrymën që nuk e shpenzojnë vetë, por që shpenzohet në veri të vendit, me të cilin detyrim janë shkelur katër ligje bazë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Avokati i Popullit e ka informuar Kryeministrin edhe në lidhje me procesimin rreth Fondit të Pensioneve të Kosovës që është bartur në Serbi e që sipas Jasharit paraqet shkelje të të drejtave dhe dinjitetit të pensionistëve si lëndë e Gjykatës së Strasburgut.

Ai ka kërkuar gjithashtu edhe rishqyrtimin e një vendimi të Ministrisë së Punës që i detyron të moshuarit edhe kur nuk janë fizikisht mirë që të dëshmojnë çdo 6 muaj që janë gjallë, mirëpo kjo sipas Jasharit cenon dinjitetin e njeriut.

“Kryeministri është njoftuar edhe për shqetësimet e Avokatit të Popullit lidhur me diskriminimin dhe gjuhën fyese të përdorur në tekstet shkollore për personat me aftësi të kufizuar, sidomos për personat me Sindromin Down”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

“Kryeministri Haradinaj, tha se e vlerëson lart punën e madhe të këtij institucioni, i cili nga Barometri i BE-së për Institucionet e Pavarura prin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë kontekst qeveria do të ofrojë mbështetje për Institucionin e Avokatit të Popullit, por edhe për institucionet tjera që mbrojnë të drejtat e njeriut”, thuhet në mes tjerash në komunikatën e Qeverisë mbi takimin e sotëm.

Gjatë këtij takimi, Kryeministrit Haradinaj ka shprehur përkushtimin e Qeverisë për krijimin dhe promovimin e mundësive të barabarta për qytetarët.