Haradinaj: Përkrahja e sotme në Asamblenë e Këshillit të Europës, hap kolosal për Kosovën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerëson se përkrahja e sotme në Asamblenë e Këshillit të Europës, është një hap kolosal në afirmimin ndërkombëtar të pozicionit të Republikës së Kosovës, si dhe “një energji dhe momentum i ri për caqet e së ardhmes”.

“Shteti ynë i ri, qytetarët e Kosovës, kanë vendosur themelet e forta të demokracisë, të drejtave dhe lirive të njeriut”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky përkushtim i rrënjosur në frymën e Kushtetutës e “shpirtin e qytetarëve”, sipas tij, u vlerësua nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.

“Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës! Zoti i bekoftë miqtë e saj!”, ka uruar Haradinaj.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka falënderuar të gjithë ata që me votën e tyre e shtynë përpara Kosovën drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Ai ka shprehur edhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë punuar me vite të tëra për këtë “sukses të rëndësishëm për vendin tonë”.

Me mbi 2/3 të votave, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi më 16.04.2024 Raportin që i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

Votimi i sotëm i hap rrugën votimit përfundimtar nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.