Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Disa shtëpi e vilë – Kjo është pasuria që Ramush Haradinaj e deklaroi në Agjencinë Kundër Korrupsionit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit pasuri të paluajtshme si shtëpi, troje e vilë që kalojnë vlerën mbi 1 milion euro.

Haradinaj ka deklaruar se posedon një shtëpi me 950 metra katrorë e ndërtuar në vitin 2001 me mjete pjesërisht vetanake, të familjes dhe ndihmë nga bashkëluftëtarët në vlerë 300 mijë euro.

Po ashtu Haradinaj ka deklaruar edhe një shtëpi 800 metra  katrorë e ndërtuar në vitin 2007 me mjete nga shitja e pronave të mëhershme në vlerë 270 mijë euro.

Po ashtu ai ka deklaruar edhe një shtëpi tjetër 500 metra katrorë, të blerë në vitin 2016 me kredi në vlerë 202 mijë euro.

Haradinaj po ashtu ka deklaruar edhe një shtëpi tjetër 623 metra katrorë, të cilën thotë se e ka ndërruar me dy banesa në Golem në vitin 2022. Ai ka vlerësuar këtë shtëpi 340 mijë euro.

Haradinaj po ashtu ka deklaruar edhe një vilë 405 metra katrorë, të blerë me mjete familjare në vlerë 120 mijë euro në vitin 2019.

Ai po ashtu ka deklaruar edhe tokë, të blerë me mjete vetanake dhe kredi në vlerë 75 mijë euro në vitin 2009.

Haradinaj ka deklaruar edhe 344 metra katrorë truall, të blerë në vitin 2005 në vlerë 27 mijë euro me mjete të familjes.

Si pasuri të luajtshme Haradinaj në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar një veturë të tipit Cadillac, e blerë në vitin 2022 në vlerë 19 mijë euro si dhe një veturë BMË në emër të bashkëshortes, e blerë në vitin 2013 në vlerë 8 mijë euro.

Ramush Haradinaj është po ashtu është bashkëpronar dhe aksionar në HCC shpk me 50% të aksioneve, derisa pjesa tjetër janë në pronësi të bashkëshortes.

Haradinaj ka deklaruar 16 mijë euro para të gatshme si të hyra nga pagat dhe qiratë, derisa bashkëshortja e tij ka rreth 59 mijë euro para të gatshme, nga të hyrat në qira si dhe pjesëmarrja në projekte.

Haradinaj ka deklaruar se i ka 91 mijë euro borxh për blerjen e shtëpisë në vitin 2016 si dhe 22 mijë euro për financim të studimeve për fëmijët.

Haradinaj ka deklaruar të hyra vjetore 20 mijë euro nga paga në Kuvendin e Kosovës, 48 mijë euro nga qiraja e shtëpisë, 30 mijë nga qiraja e shtëpinë në Marigona Hill si dhe 2 mijë e 700 nga pagesa si invalid i luftës.

Derisa, bashkëshortja e tij ka të hyra vjetore 48 mijë euro nga qiraja e shtëpisë në rr. ‘Selim Berisha’ Prishtinë, 16 mijë euro nga paga në KLAN Kosova, 15 mijë euro nga Bashkia e Tiranës për projekt dhe KLAN TV dhe 50 mijë euro nga biznesi HCC ku është bashkëpronare.

Këtu mund ta gjeni deklarimin e plotë të pasurisë së Ramush Haradinajt.