Hetohet Prokurori, Dyshohet se Shkelmoi Lëndën

Ibrahim Berisha, prokuror i Krimeve të Rënda në Prishtinë, po akuzohet nga referentja e kësaj Prokurorie, Mevlude Statovci, se ia ka nxjerrë me shkelma jashtë një lëndë nga zyra e tij.

Referentja, e cila i ka dërguar një shkresë Këshillit Prokurorial të Kosovës, është ankuar për sjellje të pahijshme, duke nënvizuar se prokurori ka shkelmuar lëndën të cilën ajo më parë e kishte dorëzuar në zyrën e prokurorit.

Incidenti është konfirmuar edhe nga kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, i cili ka konfirmuar se kanë marrë njoftim për këtë çështje. “Kemi pranuar një shkresë ku punëtorja ankohet se lënda i është shkelmuar. Shkresën e kemi proceduar për hetime të mëtutjeshme në zyrën e Prokurorit Disiplinor”, ka thëne Isufaj.

Zef Prendrecaj nga ZPD ka konfirmuar nisjen e hetimeve disiplinore por pa dhënë detaje konkrete se cilat ishin veprimet e prokurorit. “Unë mund të konfirmoj se Zyra e Prokurorit Disiplinor ka pranuar një parashtresë. Bëhet fjalë për një sjellje të mundshme të pahijshme, mirëpo për shkak të hetimeve që është duke i zhvilluar kjo Zyrë tash për tash më shumë informacione nuk mund të japim”, ka thënë prokurori disiplinor Zef Prendrecaj.

Në anën tjetër, prokurori Ibrahim Berisha në një prononcim për KALLXO.com e mohon ta ketë shkelmuar lëndën të cilën ia kishte dërguar në zyrë referentja Mevlude Statovci.

“Unë me datën 15 prill nuk kam qenë në zyre fare. Edhe ndërkohë referentja siç po shihet Mevlude Statovci, bashkëpunëtores time, zyrtares ligjore ia ka ofruar një lëndë. Lënda është orientuar gabimisht nga neglizhenca dhe pamaturia e referentëve. Unë s’e kam nxjerrë jashtë me shkelma. Kjo është e pavërtetë e madhe ngase prezent ka qenë edhe zyrtarja ligjore. Por, unë të njëjtës i kam thënë se derisa unë nuk jam në zyrë nuk ka nevojë që lënda të vihet në zyrën time”, ka thënë Berisha.

Ai ka shtuar se arsye e vetme pse e ka kthyer prapa lëndën të cilën ia kishte lënë në zyrën e tij referentja e prokurorisë është natyra e lëndës dhe assesi sipas tij refuzimi.

“Natyra e lëndës duhet të jetë në proporcion me prokurorët tjerë. Nuk është e udhës veç një prokurori do të thotë me ia dhënë lëndët vrasje, e të tjerëve armëmbajtje pa leje. Për arsye se natyra e lëndës ndryshon njëra prej tjetrës. Mbi këtë bazë unë kam kërkuar sqarim dhe ia kam shpjeguar se lënda duhet me shku në Departamentin e Përgjithshëm ngase kompetenca e armëmbajtjes është amnistuar, veprat tjera të asaj natyre kalojnë në Departamentin e Përgjithshëm. Asgjë të keqe nuk ka këtu, me një akt ia kam kthyer kolegu tjetër e ka pranuar lëndën, fillon procedura krejt në rregull. S`kam bërë asgjë të keqe”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk është në dijeni se tani është duke u zhvilluar një hetim nga Zyra e Prokurorit Disiplinor e as që është njoftuar Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Unë nuk jam i informuar. Megjithatë prej juve po informohem se lënda ka shkuar. Unë nuk e di që ka shku lënda, ka mujt me shku ndonjë thashetheme, por unë nuk jam  i informuar lidhur me këtë. Nuk qëndron, nuk është e vërtetë, unë i kam thënë lënda duhet me u hjek prej zyre, ajo pak i ka thënë do fjalë, sigurisht edhe prej nervoze se çka me ka thënë nuk e di.  Prokurori derisa sa e ka këtë funksion të prokurorit, referenti duhet me iu përmbajtur urdhrave të tij në zyrën e tij”, ka deklaruar prokurori Ibrahim Berisha.