Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila ua përkujton partive opozitare raportet e DASH-it, kur ato ishin në pushtet

Kryetarja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se është hera e parë që në Kuvend të Kosovës diskutohet për raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Sot po debatojmë për një raport të rregullt të DASH për Kosovën i cili u publikua javën që lamë pas. Është hera e parë që kërkohet të diskutohet për të në seancë plenare me argumentimin se gjetjet janë dramatike ose të padëgjuara më herët në raport me vlerësimin për Kosovën”- ka deklaruar Kusari-Lila.

Ajo u shpreh se raporti ndër vite ka pasur përmbajtje që kanë treguar probleme thelbësore në funksionimin e drejtësisë.

“Përkundrejt përpjekjeve për të vënë në spikamë diçka që mendohet se është hera e parë në raport, raporti ndër vite ka pasur përmbajtje që kanë treguar probleme thelbësore në funksionimin e drejtësisë në shtetin tonë të ri dhe në shtyllat e tjera të funksionimit të shtetit në raport me respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut”- tha ajo.

Deputetja e LVV-së ka krahasuar gjetjet e raportit të vitit 2023 me atë të vitit 2019, në kohën kur, sipas saj, dy nga tri partitë e sotme opozitare ishin në pushtet.

“Në vitin 2029 raporti shënonte: ‘çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin kufizime të panevojshme për shtypin, duke përfshirë dhunë ose kërcënim ndaj gazetarëve, korrupsion e mosndëshkim të Qeverisë dhe sulme kundër pjesëtarëve të pakicave etnike të margjinalizuara, duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës””- tha Kusari Lila.

“Abelard Tahiri harroi ta përmend se në raport shkruan se ‘për vitin 2023 Qeveria ndërmori hapa të besueshëm por jo koisistent për t’i identifikuar hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer abuzime të të drejtave të njeriut'”- theksoi ajo.

Sipas Kusari-Lilës, sa i përket lirisë së fjalës dhe mediave deri në vitin 2021 ka pasur raportime për ushtrim presioni ndaj pronarëve të mediave, mirëpo siç tha ajo, kjo fjali nuk figuron në raportin e vitit 2023.

“Sa i përket lirisë së fjalës dhe mediave, deri në vitin 2021 vazhdimisht ka pasur raportime për biznese të lidhura me qeverinë; ushtrim presioni ndaj pronarëve të mediave, redaktorëve për të mos publikuar storje apo materiale të caktuara. Kjo fjali nuk figuron më në raportin e vitit 2023”- është shprehur ajo, më 02.04.2024, në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore, janë përmendur vetëm disa prej problemeve me të cilat vazhdon të përballet Kosova, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, sa u përket të drejtave të njeriut në botë.

Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.