Salla e koncerteve ne Vjenë. Foto: Facebook/Kori ‘Siparantum’.

Kori "Siparantum" performon në 200 vjetorin e "Simfonisë së 9-të" të Beethoven-it

Kori “Siparantum” është ftuar në koncertin e Orkestrës Simfonike të Vjenës, më 7 maj 2024, që do të mbahet në shënim të 200 vjetorit të premierës së “Simfonisë së 9-të”, të kompozitorit Ludwig van Beethoven.

Ky koncert do të mbahet në Sallën e Koncerteve në Vjenë (Wiener Konzerthaus) të Austrisë.

Lajmi për pjesëmarrjen e Korit “Siparantum” në këtë koncert është bërë i ditur nga Memli Kelmendi, drejtor artistik në këtë kor.

“Nga data 4 – 8 maj 2024, Kori ‘Siparantum’ do të udhëtojë për në Vjenë, ku do të ngjitet përsëri në skenën prestigjioze për koncertin e datës 7 maj në ‘Wiener Konzerthaus’, Großer Saalme me Orkestrën Simfonike të Vjenës, (Wiener Symphoniker) me korin e njohur ‘Wiener Singakademie’ me rastin e 200 vjetorit të premierës së ‘Simfonisë së Nëntë’ të Ludvig van Bethoven (Ludwig van Beethoven Symphonie Nr. 9 d-moll op. 125)”- ka shkruar në Facebook, Kelmendi.

Koncerti, sipas tij, do të dirigjohet nga dirigjentja botërore Joana Mallwitz dhe do të transmetohet në ARTE.

Prezantimi i Korit “Siparantum” në koncetin e 7 majit vjen pas suksesit të këtij kori, në Festivalin Evropian për të Rinjtë në Belgjikë, që u mbajt nga 27 deri më 29 prill 2024. Në këtë festivali ‘Siparantum” ka marrë vendin e parë në Kategorinë “G”.