Greva ne arsim - SBAShK-u ne Komunen e Lipjanit - 16.01.2019 - FOTO KALLXO 5

Haradinaj - SBAShK-ut: Nuk është kohë pazaresh

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratave të SBASHK-ut që nuk do e pranojnë rritjen prej 20 milionë eurove që ua ofroi gjatë ditës së djeshme.

Sipas tij, deri te ky vendim ka ardhë pas një analize të buxhetit dhe në bashkëpunim me të gjitha partitë politike në vend.

Haradinaj po e cilëson të padrejtë dhe jo etike faktin që grevistët nuk po e pranojnë këtë rritje, që sipas tij po ua mohojnë të drejtën për shkollim nxënësve.

Ky është statusi i plotë i kryeministrit Ramush Haradinaj:

Vendimi i Qeverisë për ngritje të pagave për punëtorët e arsimit erdhi pas një procesi serioz të shqyrtimit buxhetor nga Qeveria e vendit dhe u finalizua me pajtimin e plotë të të gjitha partive politike në komisionin parlamentar për administratë publike, qeverisje lokale dhe media.

Është vendim, që sfidon seriozisht kapacitet buxhetore, por duke marrë parasyshë rëndësinë që ka arsimi për të gjithë, mori përkrahje të gjërë.

Është e padrejtë dhe jo etike që pas këtij vendimi të mohohet e drejta e fëmijëve tanë për shkollim e aq më pak të ankohet ndonjë punëtor arsimi për pagë të ultë.

Nuk është kohë pazaresh, por është koha që të fokusohemi në ngritje të cilësisë në arsim. Rritja e pagës është dinjitoze dhe pritjet racionale janë që edhe reflektimi të jetë dinjitoz. Mos i dënoni fëmijët tanë. Të nderuar punëtorë të arsimit – keni pagë të respektuar!  

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dje ka takuar kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të cilin e ka njoftuar për vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për mësimdhënësve të sistemit parauniversitar.

https://kallxo.com/dorezohet-haradinaj-rrit-pagat-per-mesimdhenesit/