Ramush Haradinaj dhe Ali Ahmeti në Gllogjan, Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

27-vjetori i rënies së Luan Haradinajt, Ramush Haradinaj: Le të jetë i përhershëm kujtimi për heronjtë e kombit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka falënderuar të gjithë qytetarët që bënë homazhe në Gllogjan, në 27-vjetorin e rënies së vëllait të tij, Luan Haradinajt.

“Veçanërisht jam nderuar me prezencën e mikut të dëshmuar të Kosovës, Komandantit të Gardës Kombëtare të Iowa-s, Major General Timothy E. Orr; liderit të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut Ali Ahmeti; bacit Halit Konushevci; familjes Fazliu; Gjeneral Kudusi Lama; bashkëluftëtarëve të Luanit; Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së; dhe shumë kolegëve e bashkëpunëtorëve”- ka thënë Haradinaj më 06.05.2024.

Ndërsa ka thënë se “le të jetë i përhershëm kujtimi për heronjtë e kombit”.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë përkujtuar Luan Haradinajn, në 27 vjetorin e rënies së tij.

Më 06.051997, Luan Haradinaj së bashku me të vëllanë, Ramushin, dhe me Fehmi Lladrovcin dhe Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, Ilaz Kodrën, Abedin Rexhën, Selim Krasniqin, Rafet Ramën, Ramiz Lladrovcin, Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Gani Ramën e të tjerë, ishin nisur në rrugë për të kaluar kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhinit. Atë ditë, forcat okupatore kishin zënë pritë, ndërsa Luani, i cili u printe bashkëluftëtarëve, ra i pari në pritë të forcave ushtarake e policore jugosllave. Me këtë rast u plagos rëndë Rafet Rama, ndërsa lehtë u plagosën Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.

Krerët e shtetit përkujtojnë Luan Haradinajn në 27 vjetorin e rënies së tij