Ekipi i FSK gjatë trajnimit nga ushtria britanike- Foto: Ejup Maqedonci (Fcb)

Operimi në mjedise të vështira, ekipi i FSK-së trajnohet nga ushtria britanike

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar se një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës është duke u trajnuar me ushtrinë britanike në Belize.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka treguar se për çfarë trajnimi bëhet fjalë duke e publikuar edhe një fotografi të ekipit të FSK-së.

“Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës është duke u trajnuar me Ushtrinë Britanike në Belize në testimin e aftësive bazë të ushtarëve për të operuar në mjediset më të vështira duke u integruar me partnerët tanë të Mbretërisë së Bashkuar”, ka shkruar Maqedonci.

Gjatë ditës së sotme, Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar edhe për një trajnim që është bërë nga instruktorët e ushtrisë turke, e që ka të bëj me përdorimin e sigurt dhe efikas të automjeteve luftarake “Vuran”.

Edhe ky trajnim thuhet se është bërë me qëllim të ngritjes së kapaciteteve luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.