Biblioteka Kombëtare. Foto: Kallxo.com

Hapet ekspozita mbi ruajtjen e Bibliotekës Kombëtare

Në kuadër të Kosovo Architecture Festival (Festivalit të Arkitekturës së Kosovës) është hapur ekspozita “Conserving Kosovo’s National Library”, e cila përqendrohet në planin e ruajtjes së kësaj biblioteke, njëherësh duke nisur aktivitetet festivalit, sivjet me titullin “Written Architecture”, që do të ndodhin gjatë tre muajve të ardhshëm.

“Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare duhet të jetë shprehja kulmore e arkitekturës sonë. Motivet e saj me kube, sfera, dhe shtylla përfaqësojnë zbatim bashkëkohor të frymës autoktone arkitekturale të popullit”, kishte thënë Andrija Mutnjakoviq, arkitekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ekspozita përmban pamje të skicave paraprake të bibliotekës nga arkitekti kroat Mutnjakoviq, si dhe vizatime të reja të planeve strukturore të ndërtesës nga pjesëtarët e festivalit. Më tej, në ekspozitë përfshihen edhe fotografi të ndryshme nga brendia dhe pjesa e jashte e bibliotekës, disa prej tyre të shkrepura nga vetë arkitekti në vitet e 80-ta.

Për më tepër, në katin përdhes të ndërtesës shfaqet një intervistë e bërë me arkitektin e ndërtesës në gjuhën kroate, si dhe një dokumentar i shkurtër rreth planit të ruajtjes së bibliotekës nga ana e festivalit.

Bekim Ramku, drejtori i festivalit, ka thënë se kjo ekspozitë është prodhim i punës së bërë për përpilimin e planit të ruajtjes dhe menaxhimit të Bibliotekës Kombëtare nga pjesëtarët e festivalit dhe arkitektit, i mbështetur nga Fondacioni “Getty”.

Biblioteka Kombëtare. Foto: Kallxo.com

“Kemi qenë shumë me fat që e kemi fitu grantin ‘Keeping it Modern’ që është njëri prej granteve më prestigjioze për arkitekturën moderne. Vetë projekti për bibliotekën ka rreth 2000 faqe, me të gjitha riviziatimet dhe dokumentet e skenume,” ka thënë Ramku.

Antoine Wilmering, zyrtari i lartë i fondacionit amerikan, ka thënë se ndërtesa e bibliotekës është tejet e rëndësishme për vendin dhe ruajtja e saj është e domosdoshme.

“Më duhet të them se kjo ndërtesë është thesar i Kosovës dhe i Prishtinës, dhe kur e shikon nga përjashta i sheh dritat vezulluese të kupolave. Është margaritar i vërtetë i modernizimit, është ndërtesë e jashtëzakonshme,” ka thënë ai. Po ashtu, ai e uroi stafin e festivalit për punën rreth planit të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së ndërtesës.

Biblioteka Kombëtare. Foto: Kallxo.com

Drejtori i bibliotekës, Fazli Gajraku, e falënderoi Ramkun dhe Wilmering-un për angazhimin e tyre në bibliotekë, duke thënë se i është shtuar motivi për punën në bibliotekë pasi kishte parë entuziazmin e tyre për këtë ndërtesë.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është ndërtuar në vitin 1974 gjatë regjimit jugosllav, dhe në vitin 1982 ka filluar të strehojë Bibliotekën Popullore dhe Universitare e Kosovës, siç është njohur asokohe.

Biblioteka Kombëtare. Foto: Kallxo.com

Edicioni i sivjetmë i Kosovo Architecture Festival do të organizojë më se 50 ngjarje prej 2 qershorit deri më 1 tetor. Shumica e ngjarjeve do të mbahen gjatë kësaj jave, duke përfshirë punëtori, sallone të librit, promovim të librave, ligjërata dhe ekspozita.

Biblioteka Kombëtare. Foto: Kallxo.com