Greva e Pastruesve Shton Papastërtitë

Këta punëtorë që dy ditë po dalin në punë, por nuk po pastrojnë në shenjë pakënaqësie për mosmarrjen e pagave.

Punëtori i shkollës “Skënderbeu” në Treboviç, Haxhi Krasniqi për KALLXO.com shpreh keqardhje për papastërtitë në shkolla, por thotë se nuk kanë rrugë tjetër.

“Mënyra e kësaj greve me bo është pastërtia. Keq po na vjen boll, po edhe na kemi familje edhe ata presin të ardhura prej neve. Komuna është e shurdhët dhe as që don të merret me neve. Jemi kanë në kompani, njëjtë si me kompaninë si me komunën, njëjtë,” thotë Krasniqi.

Këta punëtorë ishin pjesë e kompanisë së kontraktuar nga Komuna e Pejës për ta bërë pastrimin e shkollave, por në nëntor të vitit të kaluar u njoftuan nga kjo kompani se nuk ka më punë për ta me arsyetimin se kompania nuk ka nënshkruar kontratë të re me pushtetin lokal të Pejës.

Nga atëherë 105 punëtorët kanë pasur probleme me pagat, ndërsa kanë protestuar vitin e kaluar para hyrjes së sivjetme në grevë.

http://kallxo.com/105-punetore-ne-rruge-pas-mosmarreveshjeve-komune-kompani/

Edhe në shkollën “8 Marsi” punëtorët nuk pastruan, ndërsa në Shkollën “Dardania” të Pejës ata e bënë një përjashtim.

Punëtorja greviste Hyrije Bërdynaj pastroi një klasë ku jepte mësim një mësimdhënëse me alergji.

“S’jemi tu punu, po Drejtoresha më luti për një mësuese që është alergjike është shumë e vjetër, i çuan nxënësit në kabinet, më tha (drejtoresha)  a bon amon se  shumë është e ndishme. Mç erdh keq prej saj se edhe unë jam e solidarizuar me këta  punëtorët tjerë , s’jemi tu punu. Për shkak se tri rroga dhanë nuk na i kanë. S’po kemi qysh me ja nisë askund,” tha ajo për KALLXO.com.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës Engelbert Zefaj tha se sot mund të përfundojë çështja e pagesave të këtyre punëtorëve.

Ai tha se papastërtitë e grumbulluara në shkolla do të hiqen kur këta punëtorë të marrin pagat dhe t’i kthehen normalitetit.