Gazemend Muhaxheri së bashku me Idriz dhe Rexhep Kurtbogaj

Djali “inspekton” punimet e kompanisë së babait të tij në Rugovë (VIDEO)

Një kompani nga Peja, pronari i së cilës është babai i kryesuesit të Kuvendit Komunal të Pejës, për disa vite me radhë mori tenderë nga ekzekutivi lokal, i cili udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së. Së fundmi, Muhaxheri doli në terren bashkë me babë e bir për t’i parë rezultatet e punës.

Të shtunën e 30 shtatorit, kryetari i Komunës së Pejës doli në terren për të parë nga afër se a u kryen si duhet punët në rrugët e fshatit Drelaj në Rugovë. Bashkë me Muhaxherin u panë edhe babë e bir, Idriz e Rexhep Kurtbogaj.

Rindërtimi dhe rregullimi i rrugës në Drelaj të Rugovës u bë nga kompania “Lugjet e Verdha” e cila është në pronësi të Idriz Kurtbogajt, babait të kryesuesit të Kuvendit Komunal të Pejës, Rexhep Kurtbogaj.

Kompania me emrin “Lugjet e Verdha” ka fituar tenderë nga Komuna e Pejës ndër vite.

Rexhep Kurtbogaj është djali i Idriz Kurtbogajt, pronar i kompanisë “Lugjet e Verdha”. Aktualisht, Rexhep Kurtbogaj është kryesues i Kuvendit Komunal të Pejës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa kryetari Gazmend Muhaxheri e mohon se mund të ketë ndikim kryesuesi, që babai i tij të fitojë këta tenderë.

Vetëm në vitin 2023, kompania “Lugjet e Verdha” ka fituar dy tenderë nga Komuna e Pejës me vlerë mbi 500 mijë euro.

Por kryesuesi Rexhep Kurtbogaj e mohon se mund të ketë ndikim në procedurat e tenderimit, që t’i fitojë ato babai i tij.

Në një bisedë me KALLXO.com, Rexhep Kurtbogaj ka thënë se ‘nuk i këqyrë’ punët që i kryen babai i tij.

“Jo bre, nuk i këqyri ato punë hiç, nuk i kam përcjellë kurrë. Mundeni me i pyet të tjerët. Ju po më pyetni mua, unë muj mos me të kallxu saktë. Me të thonë të drejtën kjo firma punon kaherë qysh para lufte” – ka thënë kryesuesi i asamblesë.

Në pyetjen se pse ka dalë për të “inspektuar” punimet e babait të tij, Rexhep Kurtbogaj, ka thënë se edhe në punime të tjera ka dalë në terren bashkë me kryetarin Muhaxheri.

“Po jom dalë (për kompanitë tjera), kohë pas kohe dalim gjithkah. S’po di çka me të thonë vallahi…dalim në krejt rrugët çka janë, jo vetëm të atij. Tash ti nuk mundesh me vërtetu në çfarë cilësie jam dalë aty. E kam shok kryetarin, jam dalë me promovu si projekt” – ka thënë kryesuesi përmes telefonit.

Në anën tjetër, Idriz Kurtbogaj, thotë se tenderët nga Komuna e Pejës i fiton që shumë vite, sipas tij, prej kohës kur kryetar ka qenë Ali Berisha i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Ai gjithashtu e ka mohuar se djali i tij, kryesues i asamblesë së Pejës, ka ndikim që të fitojë tenderët nga Komuna. Ai e pranoi se është anëtar i partisë që e drejton ekzekutivin lokal në Pejë, LDK-së.

“Po, unë jam anëtar i LDK-së, por jo në ndonjë pozitë udhëheqëse…” – ka thënë pronari i kompanisë “Lugjet e Verdha”.

“Unë kam konkurru në shumë tendera, nuk kam mujt me i marrë hiq. Ju ndoshta e keni pa, sa herë kanë dalë në terren kur kanë kryer punë, po edhe të gjithë operatorët e tjerë unë e kam pa kryetarin në fotografi në vend pune me ta. Nuk është ndonjë asi..” – ka thënë ai përmes telefonit.

Idriz Kurtbogaj ka bërë të ditur se djali i tij, Rexhepi, më herët ka punuar në kompaninë e tij, por ai thotë se ka qenë vetëm punëtor si të tjerët.

“Nuk e di qysh e merrni, por janë rregulloret edhe ligjet aty janë të tenderëve, është si kusht plotësimi i dokumentacionit, edhe pa referenca, edhe çmimi më i lirë. Tash çdo kompani që e merr një tender, me bo ja jap dikujt tjetër, ai bën ankesë janë organet tjera që merren me ato punë. Nuk ka diçka. Djali më herët ka qenë punëtor, sikur të tjerët” – ka thënë Kurtbogaj.

Gazmend Muhaxheri dhe Idriz Kurbogaj, foto: Facebook

Në anën, edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, e mohon se kryesuesi i Kuvendit Komunal, Rexhep Kurtbogaj, mund të ketë pasur ndikim që babai i tij të fitojë tenderë nga Komuna e Pejës.

Përmes telefonit, Muhaxheri ka thënë se Idriz Kurtbogaj ka disa vite që merr tenderë nga Komuna Pejës, duke thënë se Idrizi nuk është as zyrtar i LDK-së.

“Nuk është zyrtar baba i vet, që 15 vjet punon në komunë. As nihere (nuk favorizohet). Hajde kqyri tenderat, shko kqyri punët që i bon, e mandej hajde fol. Po djali që nja dy legjislatura asamblist, tash është kryesues i asamblesë” – ka thënë Muhaxheri.

“Djali vet as nuk është zyrtar i prokurimit, as nuk është kurgjo hiq. 15 vjet punon me komunë, edhe është një ndër operatorët që ma të mirë që punon në Rugovë. Rexhepin ku të mundem e marrë, edhe në kodër, edhe në rrafsh edhe në mal”.

Sipas të dhënave në sistemin elektronik të prokurimit publik, “E-Prokurimi”, del se kompania “Lugjet e Verdha” në pronësi të Idriz Kurtbogaj në vitin 2023 ka fituar të paktën dy kontrata nga Komuna e Pejës.

Njërën e ka fituar për LOT-in 4 të tenderit për 2Ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës Koshutan – Gunishte”. Vlera e kësaj kontrate është 383 mijë e 352 euro. Këtë kompania e Idriz Kurtbogaj e ka fituar si konsorcium bashkë me kompaninë “Asfalt Group”. Sipas të dhënave, kontrata me Komunën e Pejës është nënshkruar me 21 mars 2023.

Kontrata tjetër është për “Rregullimin dhe asfaltimin e rrugëve në Rugovë, fshatrat Drelaj, Koshutan dhe Dugaivë”. Edhe këtë kontratë Idriz Kurtbogaj e ka fituar si konsorcium me kompanitë “Asfalt Group” dhe “Benita Company”. Vlera e kontratës është 237 mijë e 677 euro dhe është nënshkruar me 4 gusht 2023.

Në nëntor të vitit 2020, KALLXO.com gjithashtu kishte raportuar se si kompania “Lugjet e Verdha” për një periudhë kohore prej dy viteve, kishte fituar nga Komuna e Pejës shtatë tenderë në vlerë të përgjithshme prej 2 milionë e 422 mijë eurove.

Në atë kohë, në verën e vitit 2020, Rexhep Kurtbogaj ishte emëruar drejtor i Administratës.

Kompania e afërt me LDK-në fitoi tenderë në vlerë mbi 2 milionë euro nga Komuna e Pejës