Milaim Ademaj, familjari i dy viktimave në Pejë

Rrëfimi për tragjedinë në Pejë dhe burokracinë

Në murin që e shpoi fuqia e ujit Milaim Ademaj e ka të vështirë të kalojë. Hapësira e krijuar e ngulfatë në kujtime, e mërzia i vërehet edhe në fytyrë.

Nga muri që dikur e mbronte ngrohtësinë e familjes Ademaj, dolën nënë e birë, Mirsada 25-vjeçare e Dioni 5-vjeçar.

Vërshimet e 24 qershorit të 2023-ës në Pejë lanë të vdekur dy viktimat, e më të dashurit e tyre kanë ende të vështirë të kthehen në vendin ku ndodhi e gjithë ngjarja.

“Unë e kam më së rëndi, se unë i kam parë tonat, a beson i ka gati 1 muaj ditë që nuk jam kanë këtu”– kështu e nis rrëfimin Milaim Ademaj, vjehrri i Mirsadës e gjyshi i Dionit.

Vërshimet që kapluan lagjën ‘Asllan Qeshme’ e disa pjesë tjera të Pejës, ndezën motorët e institucioneve, por u shuan shpejtë.

Tragjedia u shndërrua shpejt në debat publik dhe shteti reagoi menjëherë me premtimet që dëmet do të sanoheshin shpejt dhe familjet do të merrnin të paktën një kompensim.

Në orët e para, qytetarëve iu premtua tokë e re për ndërtimin e shtëpive dhe mjete financiare për rindërtim, por 7 muaj më vonë qytetarët vazhdojnë të jenë me gishta në gojë.

Burokracia e skajshme e Qeverisë ka pamundësuar që paratë të transferohen në kontot e familjeve, ndërsa problemet e pronës pengojnë procesin e ndërrimit të pronarëve.

Duke pritur burokracinë e shtetit, familjet vazhdojnë të jetojnë jashtë shtëpive të premtuara dhe me borxhet e krijuara ndërkohë.

Në rrënojat e shtëpisë, gjyshi i Dionit, fëmijës 5-vjeçar që vdiq, i duhet të ri- rrëfejë tragjedinë me shpresë që burokratët e qeverisë do të përshpejtojnë procedurat.

Rrëfimi i ngjarjes brenda rrënojave të shtëpisë

Pak vërehet puna e dorës së njeriut brenda shtëpisë dy-katëshe që e mori uji para gati shtatë muajve. Dyshemeja është e mbuluar ende me baltë e teksa ecën nëpër të, sheh orendi të shtëpisë, pajisje të kuzhinës, libra e lodra të fëmijëve.

Secili kënd e ka një kujtim në vete, e familjari i dy viktimave, Ademaj thotë se vizitat i ka të rralla pasi të njëjtat më pas po i sjellin trauma.

Nuk po më ngreh vullnet me ardh këtu, se si po vijë po kam kujtime, po kam trauma pas anej, çka me të thanë, po e din edhe vet qysh janë këto punë”– thotë ai teksa mundohet ta shpjegojë në detaje atë çfarë e ndjeu në mbrëmjen e 24 qershorit.

Teksa kalon mbrapa shtëpisë në të cilën jetoi me dekada, kryefamiljari i familjes Ademaj shpjegon në detaje si e çka ndodhi të shtunën e fundit të qershorit të vitit të kaluar.

“Për këtë vrimë uji e ka shpuar, këtu e ka qitë nusen, shoqen time edhe dy nipa. Këtu kjo pjesa është ku ka qenë nusja, ka qenë njëfarë olluku, njëfarë kulluese që mundet me u pa, këtu ka qenë e kapur”– kujton Ademaj.

“Uji ka qenë në nivel gati te olluku atje lart… jemi mundu me nxjerrë dy tri herë… s’kemi mujt me nxjerrë… Shoqja ime ka qenë këtu, ajo ka qenë këtu në klimë e kapur për olluk lart… e kemi tërheqë… ujë ka pasë në lartësi dy metra gati në këtë vend…” – shton tutje ai.

Gruan e tij, Ademaj thotë se arritën ta nxjerrin, por jo edhe gruan e djalit e nipin që ende nuk i kishte bërë as një dekadë jetë.

Nipin e vogël 5-vjeçar ai thotë se arritën ta gjenin pasi kishte rënë niveli i ujit. Ai ishte gjetur pas derës së shtëpisë që gjendej afër, ndërsa viktima e dytë, 25-vjeçarja u gjet dy shtëpi më poshtë, në një podrum.

“S’di çka me të thanë, s’po muj as me kujtu atë punë, është kanë shumë e llomitur”– kujton Ademaj momentin kur e gjetën gruan e djalit të tij.

“Me shpresë që do të realizohen premtimet”

Në ditët e para familja mori shumë premtime. i

Iu tha që do merrnin pronë të re e para për të ndërtuar shtëpinë. Por, shtatë muaj më pas, përpos ndihmave nga individë e fondacione private, shteti nuk dha asgjë për familjen.

“Kemi pritë ndihmë prej qeverisë, komunës. Qeveria janë ardhë, i kanë bërë vlerësimet e dëmeve, na kanë caktu një dëm 40 mijë euro. Komuna na ka premtu, tha njëherë këtu nuk ka ndërtim se është vend i rrezikuar, dojmë me ju dhanë tokë dikah. Qe 7 muaj asnjë cent nuk ka lujtë”– shprehet Ademaj.

Ai thotë se me paratë që mori nga fondacionet që u krijuan e me paratë që kishte, bleu një copë tokë e filloi të ndërtojë një shtëpi një- katshe.

Por, paratë nuk i mjaftuan e borxhet filluan të krijohen.

“Me ato mjete që i kam pasë kam ble pak truall, nja 4 ari vend, çka më kanë dalë do pare kam ndërtu me to, çka s’më kanë dalë, kam ndërtu me to, çka s’më kanë dalë kam borxhe për dritare për ndërtim e asi, e për mjeshtër e dini edhe vet qysh shkon ajo punë”– thotë ai.

“Njëherë për njëherë nuk kam kurrgjë ndihmesë prej kurrkujt, premtime kam boll, nuk muj me thanë qe 7 muaj ditë na kanë harru në tona, jam me dy viktima, nuk po di çka me të thanë më”– vazhdon gjyshi i 5-vjeçarit.

Ku kanë mbetur premtimet e komunës e qeverisë?

Në orët e para pas ngjarjes, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri premtoi që banorëve do t’u jepej një pronë tjetër për të ndërtuar lagjen për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste zona.

Por, burokracia dhe të dhënat kadastrale janë duke e penguar procesin. Një pjesë e pronave nuk janë në emër të pronarëve dhe kjo pamundëson këmbimin e pronës.

Agron Nikçi, Drejtor i Shërbimeve Publike në këtë komunë tha se ndërrimi i tokave nuk po bëhet ende pasi pronat ku janë të ndërtuara shtëpitë në lagjen ‘Asllan Qeshme’ nuk janë në emër të banuesëve.

“Ndërrimi nuk ka mund të bëhet ende për shkak se ato prona ku këta janë momentalisht nuk janë me emër të tyre dhe duhet të shohim se si të bëhet zgjidhje. Do të thotë kryetari është direkt duke u angazhuar që ta bëjë këtë ndërrim dhe t’ua mundësojë ndërrimin e pronës, por është ky problem teknik që ato prona ku janë të ndërtuara ato shtëpi që i keni pa nuk janë në emër të banorëve”– tha Nikçi.

Drejtori tha se beson që shumë shpejtë do të bëhet edhe ekzekutimi i mjeteve nga ana e Qeverisë së Kosovës pasi tha se procedurat teknike janë kryer të gjitha.

Procesi i ndërrimit të pronës është sfidues për Komunën dhe banorët ndërsa të dhënat tregojnë që edhe paratë nga Qeveria nuk janë transferuar në kontot e tyre.

“Qeveria për këto dëme na i kanë caktuar 40 mijë euro, na e kanë lyp konfirmimin, thanë para vitit të ri, unë prit qe 7 muaj ditë… as truall, asnjë send, as kurrgjë. Jam detyru e kam marrë një truall, njëfarë katund i ri thirret ai fshati i ri, ia kam nisë në ymyt të atyre mjeteve që i kanë bërë, ia kam nisë me ndërtu në ato me veresi, diçka çka kam pasë të miat e ato të marra, jam në shtëpi të huajën, sa ma shpejtë që mundem me kry unë nuk po di çka me të thanë”– thotë Ademaj.

Vendimi për t`i transferuar paratë merret në Prishtinë në zyrat burokratike të Qeverisë. Aty zotimi nuk është shumë shpresëdhënës, fondet mund të transferohen në shkurt ose në mars të këtij viti.

I vetmi zyrtar që ka pranuar të flasë për këtë çështje është Kryeinspektori i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Kastriot Lajçi.

“Ne i kemi si komision qendror, e kemi bërë vlerësimin e dëmeve, faktikisht dokumentacionin e kemi vlerësu që e kanë sjellë nivelet komunale dhe i kemi dërgu në Qeveri, por deri sa të nxjerrim tash alokimin e mjeteve që e bëjnë tash në shkurt deri në mars, ne menjëherë si te nxjerrim vendimin ata (Qeveria) menjëherë do të bëjmë kompensimin e këtyre mjeteve edhe në Pejë për ekonomi familjare”– tha Kryeinspektori i AME-së.

Zyrtarët e institucioneve përgjegjëse zotohen që muaji mars të jetë afati i fundit i transferit të mjeteve në llogari të qytetarëve që pësuan nga vërshimet.

Muaji mars është muaji i 9-të prej kur ndodhi tragjedia.

Për faj të burokracisë një kompensim i thjeshtë u kushton viktimave jo më pak se 9 muaj pritje.