Ilustrim

Shkeljet që zvarritën tenderin për ndërtimin e rrugëve në Pejë

Komuna e Pejës i ka përzgjedhur për kontratë 7 operatorë të ndryshëm për 7 Lotet e tenderit për shtrimin e rrugëve në këtë komunë, me një vlerë të përbashkët prej 3 milionë e 372 mijë euro.

Publikimi i fundit i rekomandimit për kontratë është bërë në dy data: më 17 dhe 19 korrik të vitit 2023, vetëm pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit ka lëshuar vendim për ankesat e operatorëve ekonomikë në 3 prej 7 Loteve të këtij tenderi.

Ndërsa më 20 korrik 2023 janë nënshkruar kontratat në lotet në të cilat ka pasur ankesa.

Ky tender ishte hapur më 17 nëntor 2022, mirëpo procesi i prokurimit është zvarritur deri më tani për shkak të ankesave që ishin dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kjo e fundit, ka marrë 6 vendime për këtë tender, në ankesa të ndryshme që janë bërë që nga hapja e tenderit.

Në dy nga vendimet e Gjykatës së Tenderëve është konstatuar se Komuna e Pejës ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit.

Më 13 janar 2023, bizneset që kanë qenë në garë për këtë tender e kanë pranuar njoftimin mbi vendimin e Komunës së Pejës për rekomandim të bizneseve për kontratë. Në këtë njoftim, Komuna e Pejës e kishte rekomanduar për kontratë konsorciumin “Rexha & Nita Enginering and Sonsulting Sh.P.K” për Lotin 1.

Kompania që kishte ofertuar për Lot 1, “Graniti Sh.P.K” është ankuar fillimisht në Komunën e Pejës e më pas edhe në OSHP, duke pretenduar se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë nuk i plotësonte kërkesat e dosjes së tenderit.

Në ankesën e tyre në OSHP, kompania “Graniti Sh.P.K” pretendon se OE i rekomanduar për këtë kontratë nuk kishte dorëzuar dokumentet e kërkuara për të dëshmuar se kishte realizuar kontratat për projekte të ngjashme në vlerë prej 1.4 milionë euro në tri vitet e fundit.

Ky kriter, sipas ekspertit shqyrtues të caktuar nga OSHP-ja, nuk është plotësuar nga kompania fituese.

“Në bazë të dëshmive të prezantuara nga GOE të rekomanduar për kontratë, të cilat gjenden në sistemin e prokurimit elektronik, eksperti shqyrtues mendon se GOE nuk e ka plotësuar kërkesën ashtu siç është kërkuar në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë”, thuhet në përgjigjen e ekspertit të OSHP-së.

Sipas tyre, AK gjatë vlerësimit të këtij aktiviteti nuk ka vepruar në përputhje me nenin 59 të Ligjit për Prokurim Publik, gjegjësisht piken 4 ku saktë specifikohet se: “Autoriteti kontraktues do të konsiderojë një tender si të përgjegjshëm vetëm nëse tenderi në fjalë është në përputhshmëri me të gjitha kërkesat e parashtruara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit”.

Kompania “Graniti Sh.P.K” kishte pretenduar se menaxheri i projektit i propozuar nga OE i rekomanduar për kontratë nuk i plotësonte kërkesat nga dosja e tenderit, që të jetë: Master shkence (Msc) i ndërtimtarisë (ose Inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë) Drejtimi Infrastrukturë rrugore apo Konstruktiv, me së paku 5 (pesë) vite përvojë pune pas diplomimit, të ketë dëshmi se ka menaxhuar së paku një projekt të natyrës së njëjtë. Eksperti i Prokurimit edhe në këtë pikë i kishte dhënë të drejtë palës ankuese.

“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet Njoftimi mbi Vendimin e AK-Së, i datës 02.02.2023 dhe Lënda të kthehet në Rivlerësim”, thuhet në raportin e ekspertit shqyrtues.

Pronari i “Graniti Sh.P.K”, Ismet Loshaj, në një prononcim për BIRN, thotë se besojnë se kanë argumente për shkeljet që janë bërë në këtë tender.

“Lot 1 që kemi apliku ne është në procedurë akoma nuk është nënshkruar kontrata, për Lot 1 është në OSHP, akoma s’ka përgjigje, kaq mund të them. Besoj që i kemi disa argumente ta shohim vendimin”, tha ai, më 2 maj 2023.

Para se të publikohet vendimi i OSHP-së, BIRN kishte kontaktuar edhe me Agim Lajqin, pronar i kompanitë “Nilaj Engineering & Consulting” që ka qenë në konsorcium me kompaninë Rexha, në Lotin e parë. Ai kishte thënë se ishte rekomanduar për kontratë konsorciumi që ka qenë pjesë kompania e tij dhe se sipas tij ankesat në proces të prokurimit janë të normale.

“Këto janë gjëra normale sepse kur janë kontrata me vlerë të mëdha, ankesat janë më të shpeshta, është diçka e kuptueshme”, tha tutje pronari i kompanisë “Nilaj Engineering & Consulting”.

I pyetur për pretendimet e kompanive ankuese, Milot Gashi, Menaxher i Prokurimit në Komunën e Pejës ka thënë shkurtimisht për BIRN se janë respektuar gjitha vendimet sipas ligjeve në fuqi, dhe tenderi është pezulluar.

“Ju njoftoje në lidhje me aktivitetet e prokurimit Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugëve në Rugovë: Lot 1 Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës Varri i Sykut – Bellopaq faza I, Lot 2 Ndërtimi dhe asfaltimi i rregës Shtupeq i Madh – Qafa e Broqit, këto dy aktivitete janë në ankesë në OSHP pra siç edhe ju e dini ne si AK kemi për këshillim edhe Projektin e USAID-it ku ne vazhdimisht për secilën procedurë këshillohemi me ata dhe po ashtu dua të ju njoftoj se ne si AK për të gjitha Lotet që kemi zhvilluar kemi vepruar sipas LPP-së”, theksoi ai, më 2 maj të vitit 2023.

Vendimi i OSHP-së

Paneli Shqyrtues i OSHP-së, në vendimin e publikuar më 3 maj 2023, kishte vendosur në bazë të rekomandimeve të ekspertit shqyrtues, duke e anuluar vendimin e AK-së për rekomandim për kontratë dhe duke kërkuar nga Komuna e Pejës që këtë lot ta kthejë në rivlerësim.

“Ndonëse mendimi i ekspertit nuk është detyrues, Paneli sipas mendimit të pavarur të tij e ka mbështetur raportin e ekspertit në rastin konkret, nisur nga parimi se vlera provuese e tij jepet gjithnjë me raport me vlerësimin, krahasimin dhe administrimin e të gjitha provave të tjera dhe natyrën e një çështje në rastin konkret”, thuhet në vendimin e OSHP-së në të cilin është aprovuar ankesa e kompanisë “Graniti SHPK” dhe tenderi ishte kthyer në rivlerësim.

Komuna e Pejës, pas vendimit të OSHP-së, e ka rivlerësuar tenderit dhe e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Graniti ShPK”. Kundër këtij njoftimi, më 30 qershor 2023 është ankuar sërish konsorciumi “Rexha & Nita Enginering and Sonsulting Sh.P.K”. Paneli shqyrtues i OSHP-së ka vlerësuar se për shqyrtim të kësaj ankese nuk ka nevojë të caktojë ekspert dhe as të mbajë seancë, por ka vendosur në bazë të fakteve që i ka pasur në dispozicion. OSHP-ja ka vendosur se ky konsorcium nuk është palë me interes në këtë tender duke u thirrur në vendimin paraprak të OSHP-së që e bëjnë këtë kompani të papërgjegjshme, pra që nuk i ka plotësuar kërkesat që dalin nga Dosja e këtij tenderi.

Pas publikimit të vendimit të OSHP-së, Komuna e Pejës ka vendosur të publikojë edhe njoftimin për dhënie të kontratës, duke e rekomanduar për kontratë kompaninë “Graniti ShPK” me ofertën në vlerë prej 918 mijë e 214 euro.

Ankesa për Lotin e dytë

Ankesë kishte edhe për Lotin e dytë nga Operatori Ekonomik “Berisha Com” Sh.P.K., e cila ishte ankuar për disa Lote. Por, OSHP-ja i ka dhanë të drejtë kësaj kompanie vetëm për pretendimet e ngritura sa i përket Lotit të dytë. Për këtë Lot, kjo kompani kishte pretenduar se ishte eliminuar nga gara në kundërshtim me ligjin dhe se kontrata i ishte dhënë një Operatori Ekonomik që sipas tyre nuk i plotëson kërkesat që dalin nga Dosja e Tenderit.

“Për mendimin e ekspertit shqyrtues gjatë vlerësimit të këtij tenderi autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me nenin 18.9 të RRPP-së. Në bazë të sqarimeve të specifikuara me lartë për mendimin e ekspertit shqyrtues ky pretendim ankimore është i bazuar”, thuhet në raportin e ekspertit shqyrtues.

Këtë raport e ka përkrahur edhe Paneli Shqyrtues i OSHP-së.

“Ndonëse mendimi i ekspertit nuk është detyrues, Paneli sipas mendimit të pavarur të tij e ka mbështetur raportin e ekspertit në rastin konkret, nisur nga parimi se vlera provuese e tij jepet gjithnjë me raport me vlerësimin, krahasimin dhe administrimin e të gjitha provave tjera dhe natyrën e një çështje në rastin konkret”, thuhet në vendimin e OSHP-së (2023/0077) të datës 2 maj 2023.

OSHP-ja në të njëjtin vendim ia ke hedhur poshtë pretendimet e kompanisë “Berisha.com” për Lotet e tjera.

Kompanitë fituese

Në Lotin e parë “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës “Varri i Sykut – Bellopaq” faza I”, Komuna e Pejës e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Graniti Sh.P.K” e cila kishte ofertuar me 918,214 euro. Në këtë Lot kishin ofertuar 13 kompani, ndërsa çmimi më i lartë ishte 1,150,000 euro.

Për Lotin numër dy për “Ndërtimin dhe asfaltimi i rrugës në fshatin “Shtypeq i Madh – Qafa e Broqit, Komuna e Pejës ka përzgjedhur Grupin e Operatorëve Ekonomikë “BERISHA COM SH.P.K.; BK – CONSTRUCTION SH.P.K.; HIDRO PROJECT SH.P.K. Ata kishin ofertuar me çmimin prej 351,273.58 euro.

Kurse në Lotin e tretë “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës në fshatin “Rekë e Allagës – Pecaj” është rekomanduar për kontratë “Arfa GROUP SH.P.K”, të cilët kishin ofertuar me vlerë të kontratës 591,286.60. Pjesë e tenderuesve ishin 13 kompani, kurse është përzgjedhur operatori ekonomik me çmimin më të ulët të përgjegjshëm.

Për Lotin e katërt “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës “Koshutan – Gunishtë”, nga Komuna e Pejës kanë përzgjedhur ofertën e Grupit të Operatorëve Ekonomikë “Idriz Kurtbogaj B.I.; ASFALT GROUP SH.P.K”. Vlera e ofertës së tyre kap çmimin e 383,352.60 eurove, dhe është vlerësuar si çmimi më i ulët.

Në Lotin e pestë për “Asfaltimin e rrugës “Koshutan Pepajë”, nga Komuna e Pejës është përzgjedhur sërish një grup i operatorëve, “Roza Komani B.I.; Xhevdet Kurbogaj B.I.; SAK SH.P.K”, me oferën në vlerë 530,080.00 euro.

Ndërsa në Lotin e gjashtë “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës “Kuqisht (Lagjja e Bardhaj)”, është përzgjedhur Grupi i Operatorëve Ekonomikë “MIRUSHA COMPANY SH.P.K.; ROSI, TRADE SH.P.K.; TRIANGLE SH.P.K.; VIA EGNATIA SH.P.K”. Vlera e ofertuar nga ky grup ekonomik ishte me çmimin më të ulët prej 291,583.00 euro. Kurse vlera më e lartë e ofertuar ishte 312,733.40 euro.

Komuna e Pejës për “Ndërtimin dhe asfaltimi i rrugës në fshatin Dugaivë vazhdim pjesa II” ka përzgjedhur operatorin ekonomik “RSM Company SH.P.K” me seli ne Çagllavicë. Vlera e ofertuesit për ndërtimin e kësaj rruge kap shifrën e 306,262.07 euro, kurse vlera më e lartë e ofertuar ishte 324,114.22 euro.

Ky artikull është shkruar nga Arlinda Kqiku përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.