Gjykimi i ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit - Foto: KALLXO.com

E Akuzuara Zhushi Kërkon të Administrohen si Provë ‘SMS-të Kërcënuese’

Në gjykimin e ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit, Basri Muja e Ferdije Zhushi, si dhe të Armend Mujës, është bërë administrimi i provave, të cilat kanë qenë të propozuara në akuzë nga Prokuroria si dhe të akuzuarit dhe avokatët patën mundësi që të propozonin prova të reja për administrim.

Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, mbrojtësi i Basri Mujës, avokati Bajram Tmava, kërkoi nga trupi gjykues që si provë të administrohet edhe një shënim zyrtar i hetuesit policor Ridvan Obërtinca ngase sipas tij aty është gjeneza se si ka filluar hetimi në lidhje me rastin.

Po ashtu, avokati Tmava i kërkoi trupit gjykues që si provë të administrohet edhe raporti i oficerëve policorë me rastin e arrestimit të Ferdije Zhushit dhe Armend Mujës pasi që sipas tij deklarata e prokurorit të çështjes ka qenë se ai nuk ka qenë i informuar për mënyrën e arrestimit dhe se nuk ka dhënë pëlqim.

Gjithashtu, ai i kërkoi Gjykatës që të administrojë si provë edhe disa artikuj të publikuar nëpër media për të cilat tha se e vënë në mëdyshje kredibilitetin e dëshmitarit, të dëmtuarit Avni Mazrreku.

Në lidhje me këto propozime të avokatit Tmava, prokurori u shpreh se propozimin që si provë të administrohet shënimi zyrtar nga hetuesi Ridvan Obertinca nuk e kundërshton ngase sipas prokurorit qëllimi i hetuesit policor ka qenë zbulimi i keqpërdorimeve për të cilat është deklaruar edhe vetë në deklaratat e tij kur është marrë në pyetje.

E sa i përket provës me anë të së cilës avokati Tmava u shpreh se vihet në mëdyshje kredibiliteti i dëshmitarit, të dëmtuarit Avni Mazrreku, prokurori e kundërshtoi këtë propozim me arsyetimin se sipas tij në raport me këtë provë do të duhet t’i jepej mundësi vetë Avni Mazrrekut që të deklarohet në lidhje me të.

Përkundër provave për administrim të propozuara nga mbrojtësi i saj, edhe vetë e akuzuara Ferdije Zhushi kërkoi nga trupi gjykues që si provë të administrohet udhëzimi administrativ për procedura administrative, në bazë të të cilit tha se janë rregulluar procedurat e ankimimit në AKA, si dhe disa SMS kërcënuese për të cilët tha se i ka marrë nga drejtues të kolegjit “Universum”.

Edhe mbrojtësi i Armend Mujës, avokati Ramë Gashi i kërkoi trupit gjykues që si prova të administrohen pasqyra bankare për të mbrojturin e tij për periudhën akuzuese 2008-2011, periudhën në të cilën ka punuar në kolegjin “Universum”, si dhe 16 email-e për të cilat tha se kanë përmbajtje lidhur me kërkesat e kolegjit “Universum”, për punët e angazhuara jashtë kontratës së Armend Mujës të bëra në llogari të kolegjit “Universum”.

Kurse dëshmitari, përkatësisht i dëmtuari i këtij rasti sipas Prokurorisë, Suad Berisha, deklaroi se ai në vazhdimësi gjykatës ka tentuar t’i dorëzojë prova të cilat vërtetojnë keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga të akuzuarit.

Madje ai tha se posedon edhe prova të tjera me të cilat do të mund të dëshmonte se ish zyrtarët e Akreditimit kanë bërë edhe falsifikime të dokumenteve.

“Unë në dëshminë zyrtare kam provuar që t’i dorëzoj shumë dokumente zyrtare që është e dukshme shpërfillja nga AKA-ja. Unë kam një mori dokumentesh zyrtare të cilat dëshmojnë shkallën e keqpërdorimit të të akuzuarve. Të gjitha i kam në dosje, momentalisht i kam disa prej dokumenteve zyrtare të cilat e dëshmojnë keqpërdorimin e detyrës zyrtare përfshirë edhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare të vetë Agjencionit”, tha drejtuesi i kolegjit “Universum”, Suad Berisha, për çka kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimi e këshilloi se nëse ka prova për ndonjë veprim tjetër i cili nuk është pjesë e aktakuzës ato prova t’ia paraqes Prokurorisë.

Sa u përket provave të propozuara nga ana e mbrojtësve si dhe të dëmtuarit, trupi gjykues deklaroi se do të vendos me aktvendim në seancën e radhës nëse të njëjtat do të administrohen si prova apo jo.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.