Gjykimi i ish-zyrtarëve të akreditimit | Foto: KALLXO.com

Apeli ua vërteton pafajësinë Ferdije Zhushit dhe Basri e Armend Mujës

Gjykata e Apelit në një nga vendimet e saj të fundit e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale kundrejt vendimit të Gjykatës së Prishtinës, e cila në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza ish-zyrtarët e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

Dy ish-zyrtarët e lartë të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, Ferdije Zhushi-Etemi dhe Basri Muja si dhe Armend Muja, në janar të këtij viti janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Prishtinës dhe në mungesë provash janë liruar nga akuza.

Gjykata vendosi për ish- zyrtarët e Agjencisë së Akreditimit

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi-Etemi ngarkoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohej për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj Agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit e cila ua vërtetoi pafajësinë, Armend Muja për KALLXO.com ka deklaruar se sipas tij Gjykata e Apelit vetëm e ka vërtetuar atë çfarë Muja kishte thënë që nga fillimi i ngritjes së aktakuzës.

“Po, e vërtetë Gjykata e Apelit e ka konfirmuar pafajësinë dhe ka hedhur poshtë pretendimet e akuzuesve. Gjykata veçse e ka konfirmuar atë që e kam thënë të nesërmen e ndalimit spektakular se unë kam punuar me nder në profesionin tim”, ka deklaruar për KALLXO.com Armend Muja.

Armend Muja më tej ka deklaruar se sipas tij akuza e Prokurorisë ka qenë e palogjikshme pasi që është pretenduar për diçka që sipas Mujës nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Muja për KALLXO.com tha se nga akuzat e Prokurorisë ka pësuar familja e tij “e cila është poshtëruar pareshtur në opinionin publik pa pasuar asnjë evidencë të vetme”.

Ndonëse Muja shpreh kritika ndaj punës së Policisë dhe Prokurorisë, ai për KALLXO.com ka deklaruar se ndihet jashtëzakonisht i lumtur me profesionalizmin e trupit gjykues që e ka gjykuar këtë rast.

KALLXO.com e ka monitoruar në vazhdimësi këtë proces gjyqësor, artikujt mund t’i gjeni përmes këtij linku.