
Ish-drejtori i AKA-së e tërheq padinë ndaj "Gazetës Blic”, vazhdon betejën me media të tjera
Pas disa dështimesh, sot në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca përgatitore për gjykimin rreth padisë për shpifje dhe fyerje të ushtruar nga ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Basri Muja, kundër agjencisë së lajmeve “Infokus”, Elton Totës, “Gazetës Tribuna” si dhe “Gazetës Blic”.
Në fillim të seancës, gjyqtarja e rastit Rrezarta Sylejmani Voca konstatoi mungesën e dy prej palëve të paditura: “Gazeta Blic” dhe “Gazeta Tribuna”, si dhe përfaqësuesit e tyre.
Gjyqtarja gjithashtu bëri të ditur se Gjykata ka pranuar parashtresën me anë të së cilës paditësi Naim Muja e ka tërhequr padinë ndaj “Gazetës Blic”.
Me këtë rast, përfaqësuesja e Basri Mujës, Edita Ismaili, ndërhyri duke treguar se përse u tërhoq padia për këtë subjekt.
“Padia është tërhequr se artikulli [i publikuar nga “Gazeta Blic”] i referohet Ferdije Zhushit dhe s’ka të bëjë me Basri Mujën” – tha avokatja Edita Ismaili.
Përkitazi me këtë parashtresë, Gjykata nxori aktvendim me ç’rast e konsideroi të tërhequr padinë në raport me “Gazetën Blic”.
Në seancën e sotme pala paditëse i bashkëngjiti edhe një plotësim padisë.
“Në plotësimin e padisë janë bashkëngjitur të gjithë artikujt të cilët janë objekti i këtij kontesti. Nga provat materiale vetvetiu pa pasur nevojë që deklaratat t’i zbërthejmë mund të kuptojmë se artikujt e të paditurve janë shpifës dhe fyes në kuptim të nenit 3 të Ligjit civil kundër shpifjes” – tha avokatja Edita Ismaili.
Avokatja u shpreh se artikujt e kontestuar i referohen një raporti publik duke iu referuar raportit të ENQA-s (Agjencisë Europiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë) i cili sipas saj është shtrembëruar dhe keqinterpretuar nga të paditurit.
“Unë kam dështuar të gjej referencat e artikujve shpifës dhe fyes në cilëndo faqe të këtij raporti. Ndaj i ftoj të paditurit që të deklarohen se cilës faqe të raportit i referohen” – tha më tutje përfaqësuesja e paditësit.
Ajo theksoi se duke marrë parasysh deklaratat e bashkëngjitura dhe provat materiale mund të themi pa dyshim se janë plotësuar elementet për shpifje.
Përfaqësuesi i “Infokus”-it dhe Elton Totës, avokati Naim Aliu, tha se nuk e kanë të qartë fare se ku qëndron elementi shpifës dhe fyes sa u përket artikujve të publikuar nga “Infokus”-i dhe Elton Tota.
Duke folur për palën e parë të përfaqësuar – gazetën “Infokus”-i avokati Naim Aliu u shpreh se shkrimet e publikuara asokohe në atë medium ishin veçse raporte të vazhdueshme për ngjarjet dhe zhvillimet shoqërore në vend, të cilat, siç u shpreh avokati, përbëjnë interes për informim pubik të opinionit të gjerë.
“Shkrimet në atë kohë i referohen Agjencisë Kosovare për Akreditim si institucion shtetëror dhe punës së saj në ato momente sa i përket përmbushjes së standardeve europiane të cilësisë që reflektojnë dhe kanë si pasojë dështimin dhe përpjeket e AKA-së për anëtarësimin në ENQA (Agjencia Europiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë). Në artikujt e publikuar nga ky portal nuk përmendet askund konkretisht emri i paditësit” – sqaroi më tutje avokati Naim Aliu.
Ai tregoi se shkrimi i këtij portali bazohet në dokumente zyrtare, përkatësisht në raportin e panelit të ENQA-së për shqyrtimin e Agjencisë për Akreditim të Kosovës – versioni i fundit 10 prill 2014.
Duke folur lidhur me shkrimin e të paditurit tjetër të cilin e përfaqëson, Elton Totën, ai sërish tha se i njëjti i referohet punës momentale të AKA-së sa i përket përmbushjes së standardeve europiane të cilësisë, të cilat, sipas tij, reflektojnë dhe kanë si pasojë dështimin dhe përpjekjet për anëtarësim në ENQA.
Edhe për shkrimin e Totës avokati u shpreh se nuk e përmend emrin e paditësit.
Më tutje ai foli për burimet ku Tota e ka bazuar shkrimin e tij.
“Shkrimi bazohet në raportin e ENQA-s për shqyrtimin e rastit të AKA-së – versioni i datës 10 prill 2014 shqyrtim ky i kryer në vitin 2014 me qëllim të përcaktimit nëse Agjencia i plotëson kriteret për anëtarësim të plotë në ENQA; në korrespodencën shkresore, zyrtare të AKA-së dhe ENQA – së konkretisht shkresën të cilën kryetarja e Këshillit Shtetërore të Cilësisë i ka drejtuar bordit të ENQA-s; në shkresën përgjigje të ENQA-s të datës 30.6.2014 të cilën në cilësinë e drejtorit të ENQA-s i dërgohet kryetares së Këshillit Shtetëror të Cilësisë” – specifikoi avokati Naim Aliu.
Ai tha se shkrimi bazohet në standardet e gazetarisë.
“Shkrimi bazohet në standardet e gazetarisë ku pavarësisht burimeve të ditura në shkrim është paraqitur edhe reagimi shtetëror i AKA-së të cilit i referohet shkrimi dhe në emër të AKA-së në të njëjtin shkrim është paraqitur edhe reagimi që kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë e ka dhënë për media” – përfundoi avokati Naim Aliu.
Në fund të seancës, gjyqtarja Rrezarta Sylejmani Voca nxorri aktvendim me të cilin kërkoi që avokati të sjellë në kopje të mjaftueshme për Gjykatën burimet e referuara gjatë seancës që kanë të bëjnë me artikullin e publikuar nga Elton Tota.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua nga gjyqtarja e rastit për datën 19 të këtij muaji.
Në gusht të vitit 2014, asokohe drejtori i Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Basri Muja, momentalisht profesor në një nga kolegjet private në vend, i kishte paditur subjektet e lartcekura, duke i akuzuar për shpifje dhe fyerje.
Ai padinë e kishte ushtruar në Gjykatën e Prishtinës përmes përfaqësuesit të atëhershëm, avokatit Ekrem Agushi.
Shkak i padisë, sipas shkresës së deponuar në Gjykatë, janë disa artikuj të cilat pretendohet se kishin përmbajtje të rreme dhe shpifëse ku ndër të tjera thuhej se paditësi në cilësinë e drejtorit të AKA-së kishte bërë shantazhe dhe marrje të ryshfetit nga drejtues të universiteteve dhe kolegjeve private dhe kjo sipas shkrimeve ishte bërë shkak që AKA-së t’i refuzohej anëtarësimi i plotë në ENQA – Asociacioni Europian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Raportimin paraprak lidhur me këtë rast mund ta lexoni këtu.
(Ky artikull është edituar, duke e ndërruar emrin Naim Muja me Basri Muja)