Padia për shpifje që nuk ka zgjidhje për më shumë se 114 muaj

Gjykata e Prishtinës për 114 muaj nuk ka arritur t’i jap përgjigje padisë për shpifje të cilën Basri Muja e ka drejtuar ndaj disa mediave.

BIRN ka analizuar historikun procedural të kësaj lënde duke konstatuar vonesa të shumta dhe shtyrje të vazhdueshme të procesit.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2014 Basri Muja dorëzoi padi kundër “Blic Media”, Gazeta “Tribuna”, “Infokus”, Elton Tota. Padia lidhej me shkrimet e realizuar nga mediumet në kohën kur Muja ishte pjesë e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

Gjykimi i drejtë dhe në kohë të arsyeshme është një nga standardet e funksionimit të drejtësisë në Kosovë i paraparë me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut e i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës.

Në këtë rast, të dhënat që i ka siguruar BIRN tregojnë që ky standard nuk u respektua.

Trajtimi i padisë nisi me 5 vite vonesë dhe atë në seancën e datës 02.07.2019.

Seanca mbahej tek gjykatësi Adnan Konushefci por e njëjta u shty për shkak se gjykata nuk i kishte dorëzuar ftesat tek të gjithë të paditurit. Dorëzuesit e gjykatës nuk kishin arritur ta gjenin adresën e gazetës Blic, një medium ky i njohur dhe me adresë të qartë në faqen e internetit.

Procesi ishte caktuar të niste me 02.10.2019 por sërish dështoj për çështje të adresave. Më 10.12.2019, u tentua të mbahej sërish shqyrtimi përgatitor, por sërish pa sukses.

Kësaj radhe në mospërmbushjen e prezumimeve ligjore për mbajtjen e seancës kishte ndikuar fakti se gjykata nuk kishte prova se “Infokus” dhe gazeta “Tribuna” ishin ftuar për seancë në mënyrë të rregullt.

Procesi ishte bllokuar për rreth 4 vite dhe në këtë kohë u ndryshua edhe gjykata. Pas rreth 4 vitesh, kur gjyqtare e re rastit është caktuar Rrezarta Sylejmani Voca. Procesi rinisi në vitin 2023.

Me 9.06.2019 caktohet sërish seanca e shqyrtimit përgaditor. Por edhe ky shqyrtim dështoi për shkak të problemeve me ftesa.

Në procesverbalin e gjykatës, gazetën “Tribuna” dhe për “Infokus”-in nuk ka prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Madje precizohet se nga fletë-kthesa rezulton se gazeta “Tribuna” është shpërngulur nga adresa, kurse në numrin e telefonit të “Infokus” është paraqitur dikush tjetër.

Sërish, Gjykata e Prishtinës vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës, përkitazi me këtë merr dy aktvendime.

Në aktvendimin e parë, ndër të tjera, obligon avokaten e paditësit Edita Ismaili që në afat prej shtatë ditësh të sigurojë adresën për gazetën “Tribuna” dhe “Infokus”-in apo të propozoje përfaqësues të përkohshëm për ta sipas dispozitave të Ligjit për Procedurë Kontestimore.

Mëtutje e shtynë seancën dhe precizon se seanca e radhës do të caktohet varësisht nga rrjedhat e kësaj procedure.

E para seancë që nuk dështon është ajo e datës 11.12.2023.

Në fillim kësaj seance, gjyqtarja e rastit Rrezarta Sylejmani Voca konstatoi mungesën e dy prej palëve të paditura: “Gazeta Blic” dhe Gazeta “Tribuna”, si dhe përfaqësuesit e tyre.

Por gjyqtarja Rrezarta Sylejmani Voca deklaroi se gjykata ka prova se Gazeta “Tribuna” është ftuar në mënyrë të rregullt për seancë. Duke indikuar se kushtet ligjore për mbajtjen e seancë janë përmbushur.

Gjyqtarja gjithashtu bëri të ditur se Gjykata ka pranuar parashtresën me anë të së cilës paditësi Naim Muja e ka tërhequr padinë ndaj “Gazetës Blic”.

“Padia është tërhequr se artikulli [i publikuar nga “Gazeta Blic”] i referohet Ferdije Zhushit dhe s’ka të bëjë me Basri Mujën” – aryetoi në seancë avokatja Edita Ismaili.

Përkitazi me këtë parashtresë, Gjykata nxori aktvendim me ç’rast e konsideroi të tërhequr padinë në raport me “Gazetën Blic”.

Në këtë seancë pala paditëse i bashkëngjiti edhe një plotësim padisë.

Avokatja Edita Ismaili shpjegoi se në plotësimin e padisë janë bashkëngjitur të gjithë artikujt të cilët janë objekti i këtij kontesti.

Përfaqësuesja e Basri Mujës u shpreh se artikujt e kontestuar i referohen një raporti publik duke iu referuar raportit të ENQA-s (Agjencisë Europiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë) i cili sipas saj është shtrembëruar dhe keqinterpretuar nga të paditurit.

Përfaqësuesi i “Infokus”-it dhe Elton Totës, avokati Naim Aliu, ishte shprehur se nuk e kanë të qartë fare se ku qëndron elementi shpifës dhe fyes sa u përket artikujve të publikuar nga “Infokus” dhe Elton Tota.

Duke folur për palën e parë të përfaqësuar – gazetën “Infokus”- i avokati Naim Aliu u shpreh se shkrimet e publikuara asokohe në atë medium ishin veçse raporte të vazhdueshme për ngjarjet dhe zhvillimet shoqërore në vend, të cilat, siç u shpreh avokati, përbëjnë interes për informim publik të opinionit të gjerë.

Ai tregoi se shkrimi i këtij portali bazohet në dokumente zyrtare, përkatësisht në raportin e panelit të ENQA-s për shqyrtimin e Agjencisë për Akreditim të Kosovës – versioni i fundit 10.04.2014.

Duke folur lidhur me shkrimin e të paditurit tjetër të cilin e përfaqëson, Elton Totën, ai sërish tha se i njëjti i referohet punës momentale të AKA-së sa i përket përmbushjes së standardeve europiane të cilësisë, të cilat, sipas tij, reflektojnë dhe kanë si pasojë dështimin dhe përpjekjet për anëtarësim në ENQA.

Edhe për shkrimin e Totës, avokati u shpreh se nuk e përmend emrin e paditësit.

Avokati qartësoi se ku e kishte bazuar Elton Tota shkrimin e publikuar.

“Shkrimi bazohet në raportin e ENQA-s për shqyrtimin e rastit të AKA-së – versioni i datës 10.04.2014  shqyrtim ky i kryer në vitin 2014 me qëllim të përcaktimit nëse Agjencia i plotëson kriteret për anëtarësim të plotë në ENQA; në korrespodencën shkresore, zyrtare të AKA-së dhe ENQA – së konkretisht shkresën të cilën kryetarja e Këshillit Shtetërore të Cilësisë i ka drejtuar bordit të ENQA-s; në shkresën përgjigje të ENQA-s të datës 30.6.2014 të cilën në cilësinë e drejtorit të ENQA-s i dërgohet kryetares së Këshillit Shtetëror të Cilësisë” – specifikoi avokati Naim Aliu.

Në këtë seancë përgatitore u caktua edhe data për shqyrtimit kryesor e që ishte me 19.12.2023. As në këtë seancë nuk prezantoi gazeta “Tribuna”, por kjo nuk paraqiti një pengesë ligjore që seanca të mbahej.

Në këtë shqyrtim kryesor avokatja Edita Ismaili, i parashtroi gjykatës si provë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë lidhur me procedurën penale që u zhvillua kundrejt vetë paditësit dhe anëtarëve të tjerë të Agjencisë për Akreditim, ndërsa gjykata e lejoi një provë të tillë.

Epilogu i këtij procesi penal ndaj Basri Mujës dhe dy të akuzuarve: Ferdije Zushit dhe Armend Mujës kishte qenë në favor të të akuzuarve.

Me aktgjykimin e fundit për këtë rast, atë të Apelit, me datë 03.10.2019 kjo gjykatë ua kishte vërtetuar pafajësinë këtyre të fundit duke e refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale kundrejt vendimit të Gjykatës së Prishtinës, e cila në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza ish-zyrtarët e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

Paraprakisht, në janar të vitit 2019, dy ish-zyrtarët e lartë të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, Ferdije Zhushi-Etemi dhe Basri Muja si dhe Armend Muja, ishin shpallur gjithashtu të pafajshëm nga Gjykata e Prishtinës dhe në mungesë provash ishin liruar nga akuza.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi-Etemi ngarkoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohej për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Në seancën paraprake, avokati Naim Aliu kishte thënë se Agjencia për Akreditim kishte dështuar të anëtarësohej në Agjencinë Europiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Lidhur me një deklarim në seancën paraprake të  avokatit Naim Aliu, avokatja Edita Ismaili ofrojë provat e saj përmes të cilave tentoi ta rrëzojë qëndrimin e mbrojtësit të palëve të të paditura.

“Në seancën e kaluar përfaqësuesi i autorizuar i palës së paditur Infokus dhe Elton Tota ka thënë se AKA ka dështuar të anëtarësohet në ENQA me këtë rast i dorëzoi Gjykatës disa raportime të vitit 2014 të cilat ndër tjera vërtetojnë anëtarësimin e parë dhe të fundit të AKA-s në ENQA si anëtare e plotë” – deklaroi përfaqësuesja Edita Ismaili në gjykatë.

Ndërkaq, dorëzimin e këtyre provave e kundërshtoi avokati Naim Aliu, sipas të cilit ka përfunduar faza e dorëzimit të provave.

Në fund të kësaj seance, Gjykata i obligoi palët që fjalët përfundimtare të i prezantojnë me shkrim në seancën e radhës e cila u caktua të mbahej më datë 08.02.2024.

Edhe seanca e caktuar datës 08.02.2024 u realizua. Në këtë seancë, palët dorëzuan fjalët e tyre përfundimtare me shkrim. Kjo formë u aplikua për çështje të ekonomizimit të procedurës.

As në këtë seancë të paditurën gazeta “Tribuna” nuk e përfaqësoi askush.

E përmes fjalës përfundimtare të dorëzuar nga avokatja Edita Ismaili në emër të paditësit Basri Muja është precizuar se janë kërkuar 10,000 euro nga të gjithë paditurit, plus 8 për qind kamatë ligjore për vonesë.

Në anën tjetër përmes fjalës përfundimtare të dorëzuar nga avokati Naim Aliu në emër të të paditurve: agjencisë së lajmeve “INFOKUS” dhe gazetarit Elton Tota është kërkuar që të refuzohet kërkesëpadia për shkak të mungesës së legjitimitetit real aktiv të Basri Mujës, duke u kontestuar edhe e drejta e tij subjektive për këtë kërkesë-padi.

Por në rast se gjykata vlerëson se paditësi ka legjitimitet real aktiv, atëherë këta të paditur i kanë kërkuar gjykatës që kërkesëpadinë e paditësit ta refuzojë në tërësi si të pabazuar në mungesë të provave për ta vërtetuar shpifjen dhe fyerjen.

Lidhur me këtë rast nuk ka akoma një aktgjykim të shpallur në publik.