Foto: KALLXO.com

Padia e Basri Mujës kundër “INFOKUS”-it, Elton Totës dhe gazetës “Tribuna" – dorëzohen fjalët përfundimtare në gjykatë

Në Gjykatën e Prishtinës, përfaqësuesit e ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Basri Muja, agjencisë së lajmeve “INFOKUS”-i, dhe gazetarit Elton Tota dorëzuan fjalët përfundimtare.

Kurse të paditurën gazeta “Tribuna” nuk e përfaqësoi askush.

Përmes fjalës përfundimtare të dorëzuar nga avokatja Edita Ismaili në emër të paditësit Basri Muja është precizuar se janë kërkuar 10 000 Euro nga të gjithë paditurit, plus 8% kamatë ligjore për vonesë.

Nga kjo shumë, për dhimbjet shpirtërore të pretenduar janë kërkuar 4 000 Euro, ndërsa në emër të dëmtimit të reputacionit, nderit, autoritetit të pretenduar janë kërkuar 6 000 Euro.

Gjithashtu janë kërkuar edhe  2 724 Euro në emër të shpenzimeve për përfaqësim që drejtori i AKA-së ka pasur gjatë gjykimit.

E përmes fjalës përfundimtare të dorëzuar nga avokati Naim Aliu në emër të të paditurve: agjencisë së lajmeve “INFOKUS” dhe gazetarit Elton Tota është kërkuar që të refuzohet kërkesëpadia për shkak të mungesës së legjitimitetit real aktiv të Basri Mujës, duke u kontestuar edhe e drejta e tij subjektive për këtë kërkesë-padi.

Por në rast se gjykata vlerëson se paditësi ka legjitimitet real aktiv, atëherë këta të paditur i kanë kërkuar gjykatës që kërkesëpadinë e paditësit ta refuzojë në tërësi si të pabazuar në mungesë të provave për ta vërtetuar shpifjen dhe fyerjen.

Në të njëjtën shkresë janë precizuar edhe kërkesat materiale të këtyre dy të fundit.

Aty janë kërkuar gjithsejt 2 745 Euro në emër të shpenzimeve të procedurës për këta të paditur.

Në shkresën e fjalës përfundimtare për të paditurin Basri Muja thuhet se në mungesë të argumenteve të mirëfillta faktike dhe juridike, pozicioni i të paditurve në këtë çështje kontestimore u kufizua në mjegullimin e fakteve kryesore dhe përpjekjen e tyre për të arsyetuar me referime të paqena shpifjet dhe fyerjet e shpërndara në artikujt të cilët janë objekt i këtij kontesti.

Madje, aty është pretenduar se të paditurit kanë tentuar ta vënë gjykatën në lajthim lidhur me ato që quhen fakte notore dhe të qasshme me vetëm një klikim.

Në këtë shkresë kundërshtohet qëndrimi i përfaqësuesit të “INFOKUS”-it, avokatit Naim Aliu, i cili në seancën e kaluar theksohet të jetë shprehur se në artikujt e publikuar nga ky portal nuk përmendet askund konkretisht emri i paditësit.

Ndërkohë që sipas pretendimeve të paditësit emri i tij përmendet në faqen e dytë të artikullit.

“Përveç kësaj, përmendja e Paditësit është tërësisht e parëndësishme derisa në artikullin e tillë shpifës dhe fyes shihet qartë Paditësi me fotografi” – shkruhet mëtutje aty.

Sipas shkresës thuhet se “INFOKUS” duke iu referuar Raportit Përfundimtar të ENKA-së, nuk kanë shënuar për ndonjë dyshim, diskutim dhe/ apo shprehje mendimesh por për fakte dhe të gjetura të Raportit të cilat sipas paditësit nuk reflektohen në asnjë pjesë të artikujve të cilët quhen shpifës dhe fyes.

Në fjalën përfundimtare po ashtu është kontestuar edhe deklarimi tjetër përfaqësuesit të “INFOKUS”-it avokatit Naim Aliu i cili kishte theksuar se “[…] shkrimi i këtij portali bazohet në dokumente zyrtare, konkretisht në Raportin e Panelit të ENKA-së dhe atë versionit të fundit i datës 10 prill 2014.”

Përkitazi me këtë deklarim në përgjigje është theksuar se për të kuptuar nëse përmbajtja e Artikullit është e tillë mjafton të lexohet Raporti Përfundimtar i ENKA-së, duke aluduar se në fakt artikulli nuk korrespondon me raportin.

Titulli “Korrupsion, Agjencia Evropiane e Akreditimit refuzon Kosovën” është konsideruar jashtë çdo standardi gazetaresk.

Kjo sipas fjalës përfundimtare të deponuar në emër të paditësit sepse ngërthehen dy të pavërteta: faktit se korrupsioni nuk është përmendur asnjëherë nga ENKA, dhe (ii) faktit se AKA nuk është refuzuar asnjëherë nga ENKA.

“Pra, një titull i pavërtetë nuk ka se si të jetë korrekt” – shkruhet në përgjigje.

Mëtutje në përgjigjen e deponuar nga avokatja Edita Ismaili thuhet se raportimi se ENKA qenka e shokuar me korrupsionin në AKA nuk mbështetet në asnjë informatë zyrtare.

“Në anën tjetër, është e vërtetë se Paditësi nuk ka kontestuar asnjëherë Raportin Përfundimtar të ENKA-së, të dorëzuar si provë materiale në këtë proces gjyqësor” – qartësohet aty.

Tutje kontestohen edhe deklarimet e përfaqësuesit avokatit Naim Aliu në emër të Elton Totës i cili citohet se në seancën e mbajtur më 11 dhjetor 2023, kishte theksuar se “[…] padyshim që këto publikime përbëjnë interes për informimin e opinionit publik të gjerë.”

Përkitazi me këtë deklarim theksohet, ndër të tjera, se shpërndarja e informatave të cilat quhen shpifëse e që konsiderohet se nuk kanë asnjë bazë, nuk i kontribuojnë opinionin publik.

Mëtutje thuhet se i padituri Elton Tota dhe avokati i tij Naim Aliu kanë dështuar të dëshmojnë se në cilën faqe të Raportit Përfundimtar apo Letrave të shkëmbyera në mes të ENKA-së dhe AKA-së thuhet se AKA është e korruptuar, se AKA është ndikuar politikisht, se stafi i AKA nuk është profesional etj.

Pjesë e kontestimeve të fjalës përfundimtare prej plotë 16 faqeve ishte edhe artikulli i portalit “Tribuna”, “Agjencia e Ryshfetit” botuar me 10 Korrik 2014

“Në artikullin shpifës dhe fyes është shënuar ‘Drejtuesit e Agjencisë për Akreditim po akuzohen se po u kërkojnë dhjetëra mijëra euro ryshfet drejtuesve të universiteteve dhe kolegjeve private në këmbim të akreditimit.’ Në asnjë pjesë të këtij Artikulli Shpifës dhe Fyes nuk është shënuar se cilat janë ato kolegje që i janë kërkuar ryshfet? Si ka ndodhur kjo? Kush ka qenë i përfshirë në këtë çështje? Çfarë provash dhe/apo faktesh ekzistojnë për këto akuza?” – thuhet aty.

Fjalën përfundimtare gjatë seancës, gjyqtares së rastit Rrezarta Sylejmani Voca ia dorëzoi përfaqësuesi i “INFOKUS” dhe Elton Totës, avokati Naim Aliu.

Në këtë shkresë thuhet se Basri Muja po e paraqet veten “kinse të dëmtuar” nga ato që i njëjti pretendon se janë shpifje dhe fyerje por që nuk ka arritur në asnjë stad të gjykimit ta vërtetojë se në fakt janë të tilla.

Përse vallë tërë këto portale por edhe gazetarë shkruan vetëm gjëra negative për AKA-në, dhe askund nuk u dëshmua që dikush të ketë shkruar diçka pozitive në atë kohë për Agjencinë, pjesë e të cilës në atë kohë ishte paditësi – shkruhet në shkresë.

Aty ritheksohet qëndrimi se në shkrime nuk përmendet emri i Basri Mujës.

Po ashtu, në të gjitha këto shkrime që përmenden nga pala paditëse askund nuk apostrofohet emri i paditësit fakt ky i cili realisht ia humbë palëve të paditura edhe legjitimitetin aktiv të palës – ritheksohet aty.

Avokati Naim Aliu ka elaboruar se të gjitha shkrimet aso kohe janë bazuar në standardet e gazetarisë dhe kanë pasur për qëllim informimin e opinionit publik për punën e institucioneve shtetërore, kurse e vërteta qëndron se Agjencia Evropiane e Akreditimit asokohe e kishte refuzuar Kosovën.

Sipas shkresës të gjitha të thënat në artikujt e të paditurës NSH “Infokus” ishin të mbështetura në dokumente të dala nga AKA dhe ENKA dhe nuk përmbajnë shpifje dhe fyerje. Ato ndër të tjera thuhet të kenë pasqyruar gjendjen e saktë të AKA-së dhe progresin në anëtarësimin në ENQA.

Kurse lidhur me Elton Totën thuhet ta ketë bërë shkrimin e dates 11 Korrik 2014 në cilësinë e gazetarit. Ky shkrim që ka të bëjë me AKA-në nuk i referohet paditësit përkatësisht thuhet se nuk ia përmend emrin; është shkruar për një çështje me interes të përgjithshëm për informimin e opinionit publik për punën e institucioneve shtetërore; është i karakterit hulumtues dhe informues, si dhe bazohet në dokumente zyrtare dhe korrespondencën zyrtares mes institucioneve përkatëse.

Pas shqyrtimit kryesor të sotshëm pritet marrja e aktgjykimit nga gjyqtarja Rrezarta Sylejmani Voca.

Raportimet paraprake lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.