Gjykimi për shpifje dhe fyerje, gjykata lejon si provë aktgjykimin lirues për paditësin Basri Muja  

Në Gjykatën e Prishtinës sot u mbajt shqyrtimi kryesor lidhur me padinë për shpifje dhe fyerje të ushtruar nga ish drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Basri Muja, kundrejt agjencisë së lajmeve “Infokus” , Elton Totës si dhe “Gazetës Tribuna”.

Në seancën e sotme nuk prezantoi pala e paditur “Gazeta Tribuna”.

Palë e paditur në këtë rast ka qenë edhe “Gazeta Blic”, por që në seancën përgatitore paditësi ka tërhequr padinë kundrejt këtij subjekti përmes një parashtrese.

Ky rast po gjykohet nga gjyqtarja e Departamentit Civil – Rrezarta Sylejmani- Voca.

Në seancën e sotme, përfaqësuesja e paditësit, avokatja Edita Ismaili, i ka parashtruar gjykatës si provë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë lidhur me procedurën penale që u zhvillua kundrejt vetë paditësit dhe anëtarëve të tjerë të Agjencisë për Akreditim, ndërsa gjykata e lejoi një provë të tillë.

Procedurë e cila kishte marrë epilog në favor të të akuzuarve.

Në seancën e fundit, avokati Naim Aliu kishte thënë se Agjencia për Akreditim kishte dështuar të anëtarësohej në Agjencinë Europiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Në raport me këtë deklaratë të palës kundërthënëse, avokatja Edita Ismaili në seancën e sotme i dorëzoi gjykatës disa raportime të vitit 2014.

Sipas saj, me këto prova pala paditëse tenton të vërtetojë anëtarësimin e AKA- s në ENQA.

“Në seancën e kaluar përfaqësuesi i autorizuar i palës së paditur Infokus dhe Elton Tota ka thënë se AKA ka dështuar të antarësohet në ENQA me këtë rast i dorëzoi Gjykatës disa raportime të vitit 2014 të cilat ndër tjera vërtetojnë antarësimin e parë dhe të fundit të AKA-s në ENQA si anëtare e plotë”- u shpreh e njëjta.

Ndërkaq, dorëzimin e këtyre provave e kundërshtoi avokati Naim Aliu, sipas të cilit ka përfunduar faza e dorëzimit të provave.

“E kundërshtoj dorëzimin e këtyre provave, qysh në seancën e kaluar të shqyrtimit paraprake ka përfunduar faza e dorëzimit të provave dhe këto prova të dorëzuara sot i konsiderojmë si të papranueshme”- tha i njëjti.

Gjithashtu ai shtoi se i qëndrojnë prapa asaj se artikujt që janë objekt i shqyrtimit nuk kanë të bëjnë me shpifje dhe fyerje, e se përmbajtja e këtyre shkrimeve i ka plotësuar normat gazetareske.

Në seancën e fundit, përfaqësuesi i të paditurve Infokus dhe Elton Tota, avokati Naim Aliu, ishte thirrur në disa prova që kanë të bëjnë me artikullin e publikuar nga Elton Tota. Kështu gjykata të njëjtin e kishte obliguar që burimet e tilla të i sjellë në kopje të mjaftueshme për Gjykatën.

Lidhur me këtë përfaqësuesja e paditësit, Edita Ismaili, tha se nuk i kishte pranuar të njëjtat me kohë prandaj ka rezervuar të drejtën që argumentet ndaj të njëjtave të i parashtroj me shkrim.

Në fund të seancës, Gjykata i obligoi palët që fjalët përfundimtare të i prezantojnë me shkrim në seancën e radhës e cila u caktua të mbahej më datë 8 shkurt 2024.

Në gusht të vitit 2014, asokohe drejtori i Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Basri Muja, momentalisht profesor në një nga kolegjet private në vend, i kishte paditur subjektet e lartcekura, duke i akuzuar për shpifje dhe fyerje.

Ai padinë e kishte ushtruar në Gjykatën e Prishtinës përmes përfaqësuesit të atëhershëm, avokatit Ekrem Agushi.

Shkak i padisë, sipas shkresës së deponuar në Gjykatë, janë disa artikuj të cilat pretendohet se kishin përmbajtje të rreme dhe shpifëse ku ndër të tjera thuhej se paditësi në cilësinë e drejtorit të AKA-s kishte bërë shantazhe dhe marrje të ryshfetit nga drejtues të universiteteve dhe kolegjeve private dhe kjo sipas shkrimeve ishte bërë shkak që AKA-s t’i refuzohej anëtarësimi i plotë në ENQA –  Asociacioni Europian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Raportimin paraprak lidhur me këtë rast mund ta lexoni këtu.