Donika Kadaj: Ratifikimi i Demarkacionit Nuk Është Kusht për Vizat

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj- Bujupi, është kthyer nga një vizitë zyrtare në Bruksel me përshtypjen se Bashkimi Evropian nuk po e kërkon ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si kundërvlerë për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Kadaj- Bujupi ka qenë në selinë e Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian në kuadër të një delegacioni të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane.

Në një intervistë për KALLXO.com, ajo flet për takimet e mbajtura në kryeqytetin evropian.

“Dëshiroj të theksoj që ajo çfarë është qëndrimi zyrtar është që demarkacioni të zgjidhet si proces, dhe absolutisht askush nuk ndërhyn në çështjen e brendshme të shenjëzimit të kufirit dhe në çështjet bilaterale ndërmjet marrëveshjeve së Malit të Zi dhe Kosovës. Për më tepër, në shumë takime është diskutuar vullneti i mirë i Malit të zi që të rishqyrtohet kjo marrëveshje dhe të ketë një rinegocim të saj në kuptimin në korrigjimin e gabimeve”, tha Kadaj Bujupi.

Sipas saj, Kosovën po e përkrahin shumë pak shtete në procesin e liberalizimit të vizave për shkak të mos përmbushjes së kritereve nga ana e Qeverisë.

“Për shkak të ngecjeve të mëdha, kryesisht të Qeverisë, mos punës dhe mos përmbushjes së kritereve, Kosova vazhdon të jetë poshtë në listën e përkrahjes, madje ka shumë pak shtete anëtarë te BE-së ose fare të cilat lobojnë për republikën e Kosovës”, shtoi Kadaj Bujupi.

Ajo tha se në këto takime pozitë e opozitë e kanë vlerësuar si kriter të panevojshëm çështjen e kufirit, përderisa shtetet tjera të rajonit nuk e kanë pasur një kriter të tillë.

Dhe një pyetje e tillë asnjëherë nuk ka marrë përgjigje, që sipas Kadajt Bujupit është e çuditshme.